TIRANË- Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Premtimi”, duke vënë në pranga 58-vjeçaren Suzana Doda, e dyshuar se së bashku me bashkëpunëtoren e saj, 27-vjeçaren Sara Ndoj, ka mashtruar qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e problematikave të pronësisë.
Sipas hetimeve, Doda u premtonte qytetarëve se kishte njohje në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe se mund të ndërhynte për zgjidhjen e çështjeve të tyre pronësore.
Për t’u dhënë besueshmëri premtimeve, ajo dyshohet se i pajiste qytetarët edhe me dokumente dhe certifikata pronësie të falsifikuara.
Nga kjo skemë, sipas Policisë, Suzana Doda dhe Sara Ndoj dyshohet se kanë përfituar mbi 100 mijë euro nga qytetarë të ndryshëm. Hetimi nisi pas informacionit të marrë nga gazetarët e emisionit investigativ “STOP”, të cilët kishin kontaktuar me persona që pretendonin se ishin mashtruar dhe pajisur me dokumente false.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një shumë parash në euro, që dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Ndërsa Suzana Doda është arrestuar, për Sara Ndoj ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ka edhe raste të tjera të qytetarëve të mashtruar dhe nëse në këtë skemë janë përfshirë persona të tjerë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/