Situata e zjarrit në Fier vijon të jetë e rënduar, ndërsa flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe janë afruar pranë banesave dhe bizneseve në zonë.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi se në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar të gjitha strukturat dhe kapacitetet në dispozicion, si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Sipas Çakos, në terren po punojnë edhe helikopterë, ndërsa strukturat vendore janë mobilizuar për të vënë nën kontroll situatën dhe për të shmangur rrezikimin e banorëve.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin”, u shpreh Çako.
Ai theksoi se era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke bërë që zjarri të marrë përmasa të jashtëzakonshme.
“Për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po punohet për të evituar çdo lloj problemi që mund të ketë në zonat e banuara dhe me njerëzit. Ky është një prioritet i padiskutueshëm”, tha kreu i Emergjencave Civile.
Çako bëri të ditur se kapacitetet për evakuimin e banorëve janë në gatishmëri, pasi flakët janë afruar pranë disa bizneseve.
Sipas tij, disa prej njësive të biznesit që ishin rrezikuar fatmirësisht janë shpëtuar dhe nuk janë përfshirë nga zjarri, por situata vijon të mbetet një rrezik potencial.
Në fund, Çako u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e zjarrit, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta.
“Njerëzit duhet të na mirëkuptojnë dhe duhet të jenë të kujdesshëm në ndezjen e zjarreve në këto temperatura të jashtëzakonshme, sepse, kuptohet, zjarri ka faktor vetëm njeriun”, deklaroi ai.
Ndërkohë raportohet për evakuime, disa banesa të djegura, një magazinë dhe kafshë të ngordhura. Për fat asnjë banor nuk është i lënduar.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/