Banorët e fshatit Peshtan i Vogël në Fier, i përfshirë nga flakët gjatë ditës së sotme, e kanë përshkruar situatën si tejet dramatike, ndërsa zjarri vijon të kërcënojë banesat dhe sipërfaqet me ullinj.
Një prej banorëve tha se ka evakuuar familjen e tij nga fshati, pasi banesa dhe rreth 700 rrënjë ullinj ndodhen në rrezik. Ai shprehu kritika ndaj ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, duke pretenduar se flakët nuk janë frenuar në kohë.
“Jam banor i Peshtanit të Vogël. Nga banesa jam evakuuar. I dërgova prindërit e mi larg që këtu. Rrezikohen shtëpitë. Ullinj janë shumë, janë rreth 700 rrënjë që rrezikohen. Nuk jemi dëmshpërblyer asnjëherë. Asnjë mjet zjarrfikës, asgjë. Këtu ka mbaruar çdo gjë, shteti ka mbaruar. S’ka përgjegjës. Le të ikin edhe këta që kanë mbetur dhe ta gëzojnë qeveritarët”, u shpreh banori.
Një tjetër banor tha se më herët i janë djegur rreth 250 rrënjë ullinj, ndërsa theksoi se flakët po rrezikojnë edhe banesat e tyre. Sipas tij, zjarri mund të ishte parandaluar nëse do të ishte ndërhyrë në kohë, ndërsa shprehu zhgënjimin për mungesën e mjeteve të emergjencës.
“E njëjta gjë na ndodhi edhe herën e parë që na u dogjën ullinjtë andej. Unë kam mbi 250 drunj ullinj, të gjithë në prodhim. Plus lëre ullinjtë, por rrezikojnë edhe shtëpitë. Unë kam shtëpitë atje. Zjarri mund të ishte parandaluar që në fillim. Nuk ka shtet këtu, nuk funksionon asgjë. Ku e ke helikopterin tani? Ku e ke zjarrfikësen? Një helikopter është ai, çfarë do bëjë më para? Kështu që të ngarkojmë plaçkat ne dhe të largohemi nga Shqipëria. Janë ullinjtë në prodhim, atje i kishim shpresat ne. Po kaloi zjarri kthesën këtu, mbaruam”, tha ai.
Ndërkohë, situata në zonën e Peshtanit të Vogël vijon të jetë e rënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/