Sëmundjet kardiovaskulare duket se janë kthyer në një problem në Shqipëri, duke prekur edhe moshat e reja. Gjatë muajve të verës, figura të njohura u ndanë nga jeta për shkak të arresteve kardiake, edhe pse në një moshë të re.
Një lajm i trishtë erdhi nga Vlora më 28 korrik, ku sportisti Artan Pogoni ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare. Ish-volejbollisti dhe ish trajneri ndodhej me pushime me familjen në Radhimë, kur dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak. Ai ka mbërritur i pajetë në spitalin e Vlorës ku u transportua me urgjencë.

Pak ditë më pas, një tjetër personalitet do të humbte jetën, sërish nga arresti kardiak. Sipërmarrësi Elvis Karaj mbylli sytë në moshën 48-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk për familjarët dhe miqtë e tij. Familjarët kanë konfirmuar se ndarja e tij ishte e papritur, pasi ishte një njeri energjik që qëndronte gjithmonë në krye të detyrës.

Më 3 gusht, do të ndahej nga jeta Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti. Ndoja, vetëm 46 vjeç pësoi një arrest kardiak, edhe pse më herët nuk kishte shfaqur probleme të shëndetit të zemrës. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur.

Ndërkohë, më 31 gusht, në moshën 64-vjeçare do të humbte jetën po nga një arrest kardiak Skënder Haluci, gjyqtari që dikur ka drejtuar dhe Gjykatën e Vlorës. Ai ndodhej me familjen për pushime në bjeshkët e Tropojës, kur papritur nuk është ndjerë mirë. Pak minuta më vonë, ai do të pësonte arrest kardiak dhe do të ndërronte jetë.

Këto janë vetëm disa nga rastet kur sëmundjet e zemrës janë bërë shkak për humbjen e jetës, duke prekur edhe mosha të reja. Të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregojnë se gjatë vitit 2025, 52.9% e të gjitha vdekjeve në vend janë shkaktuar nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, duke i mbajtur ato në vendin e parë mes shkaqeve të vdekshmërisë.

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, duke zënë 54,5 % të vdekjeve te femrat dhe 51,6 % te meshkujt. Po ashtu këto sëmundje renditen të dytat si shkaqe të vdekjeve me 30,1 % për grup-moshën 20-44 vjeç, vetëm pas dëmtimeve traumatike dhe helmimeve.

Kontrollet mjekësore dhe vizitat në spitale duhet të kthehen në një rutinë për qytetarët shqiptarë, sepse në këtë mënyrë mund të parandalohen shumë probleme, që në disa raste mund të rezultojnë edhe fatale./ SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/