Një telefonatë e dëshpëruar në 112, një ndjekje në autostradë dhe një fund tragjik. Lorena Isceri, 46 vjeç, u vra nga ish-partneri i saj, Federico Vella, 36 vjeç, në një ngjarje të rëndë që tronditi zonën e Firences në Itali.
Sipas rindërtimit të deritanishëm të hetuesve, Vella e kishte pritur ish-partneren në garazhin ku ajo parkonte makinën në Firence. Pasi ajo mbërriti, ai dyshohet se e sulmoi, e lidhi me një material plastik dhe e futi në bagazhin e automjetit të saj.
Por Lorena arriti të gjente telefonin në çantën që kishte me vete. Fillimisht tentoi të kontaktonte nënën dhe një mik, ndërsa më pas arriti të telefononte 112. Telefonata zgjati rreth 20 minuta përpara se lidhja të ndërpritej. Policia arriti të lokalizonte celularin dhe, përmes kamerave të sigurisë, identifikoi automjetin që po lëvizte në autostradën A1.
Makina u gjet e ndaluar në një mbikalim të autostradës. Sipas hetuesve, në momentin kur mbërritën efektivët, Vella kishte hapur bagazhin dhe e kishte nxjerrë Lorenën nga aty. Gruaja ishte ende gjallë kur ish-partneri e hodhi nga mbikalimi, nga një lartësi prej më shumë se 40 metrash.
Menjëherë pas kësaj, kur policët iu afruan, Vella u hodh edhe vetë nga mbikalimi dhe humbi jetën.
Por ndërsa hetimi po zbardh minutë pas minute ngjarjen, një tjetër detaj ka tronditur opinionin publik: mikeshat e Lorenës e kishin paralajmëruar prej kohësh që të kërkonte ndihmë dhe ta denonconte ish-partnerin.
Një prej tyre ka treguar se i kishte thënë se kishte frikë se Vella mund ta priste poshtë shtëpisë. “E kisha paralajmëruar”, ka rrëfyer ajo, duke shtuar se kishte insistuar që Lorena të bënte denoncim. Përgjigjja e saj ishte se do të arrinte ta zgjidhte vetë situatën.
Sipas mikeshës, Lorena ishte një “grua e jashtëzakonshme”, ndërsa ish-partnerin e përshkroi si një njeri me dy fytyra. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se ditët para krimit, Vella kishte publikuar në rrjetet sociale disa mesazhe që lidhen me ndarjen nga Lorena. Në një prej tyre ai shprehej i dëshpëruar për fundin e marrëdhënies, ndërsa më 12 gusht kishte publikuar një video me fotografi të çiftit dhe një mesazh lamtumire.
Policia dhe Prokuroria po analizojnë telefonat dhe komunikimet e çiftit për të rindërtuar plotësisht marrëdhënien dhe për të kuptuar nëse kishte pasur shenja të tjera kërcënimi apo dhune para krimit. Deri tani, autoritetet bëjnë me dije se nuk rezulton që Lorena të kishte bërë më parë një denoncim ndaj ish-partnerit./SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/