ANGLI- Një familje shqiptare është dënuar me rreth 17 vite burg në Britani, pasi u zbulua se ishte përfshirë në një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës, ku porositë menaxhoheshin përmes WhatsApp-it.
Në qendër të grupit ishte 44-vjeçari Rezart Balesi, i cili u dënua me 7 vite e 6 muaj burg nga Manchester Crown Court. Bashkë me të u dënuan edhe djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, me 4 vite burg, si dhe vëllai i Rezartit, Refail Balesi, 39 vjeç, me 5 vite e 3 muaj burg.
Sipas hetimit, rrjeti kishte ngritur një linjë të posaçme komunikimi përmes WhatsApp-it. Joshua dhe Refail merrnin porositë për kokainë dhe më pas kontaktonin shpërndarësit që kryenin dorëzimet te klientët.
Biznesi familjar përdorej si bazë për aktivitetin kriminal. Rezart Balesi përdorte “Village Bistro”, në Vernon Street, Greenmount, Bury, për të koordinuar aktivitetin e grupit.
Në gjykatë u zbulua se aktiviteti ishte kthyer në një biznes fitimprurës. Mesazhet e sekuestruara tregonin se grupi mund të siguronte deri në 9 mijë paund në vetëm një natë, ndërsa në disa ditë kryheshin dhjetëra shitje kokaine.
Një ekspert vlerësoi se gjatë një periudhe tre mujore ishin shpërndarë rreth 790 gramë kokainë, ndërsa në komunikimet mes anëtarëve të grupit flitej edhe për blerje të sasive të mëdha të drogës, me vlerë rreth 36 mijë paund. Rrjeti besohet se ka funksionuar nga maji 2024 deri në mars 2026.
Gjykatësja Sarah Johnston e cilësoi aktivitetin si një “sipërmarrje tregtare dhe fitimprurëse”, ndërsa kritikoi veçanërisht Rezart Balesin për përfshirjen e djalit të tij në aktivitetin kriminal. Joshua ishte vetëm 18 vjeç kur u përfshi në rrjet.
Përveç tre anëtarëve të familjes Balesi, në kuadër të të njëjtit hetim u dënuan edhe persona të tjerë. Fatos Vrenezi mori 4 vite burg, Lorenzo Canovi 37 muaj, Imanuel Lumaj 3 vite e 9 muaj, ndërsa Fjoraldo Lukaj 3 vite e 6 muaj dhe do të përballet edhe me dëbimin nga Britania. Antonino Precaj u dënua me 27 muaj për një komplot të lidhur me kultivimin e kanabisit.
Hetimi u drejtua nga North West Regional Organised Crime Unit, e cila deklaroi se kishte çmontuar një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar që shpërndante kokainë dhe kanabis në Greater Manchester.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/