Një ditë pasi kryeministri Edi Rama iu kërkoi që çdo të premte të dalin në terren, për të takuar qytetarët, në kuadër të “Pranisë Besnike”, deputetët socialistë kanë nisur nga postimet, ku njoftojnë për takimet që do të mbahen sot. Një pjesë e mirë e deputetëve, kanë shpërndarë një format të ngjashëm fotosh, ku njoftojnë takimet nën logon e Pranisë Besnike. Sipas udhëzimit të kryeministrit Edi Rama, këto takime do të mbahen pa praninë e kamerave, dhe qytetarët do të dëgjohen një e nga një nga deputetët për shqetësimet e tyre.

ÇFARË THA RAMA PËR PRANINË BESNIKE
“Prania Besnike” vendos një rregull shumë të thjeshtë; qytetari duhet ta dijë paraprakisht, ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara dhe e premtja e kësaj jave në orën 5, është fillimi i një procesi të “Pranisë’’ në të gjithë territorin e Republikës që nuk do të ndalet asnjë të premte, nuk do të ndryshojë orë në asnjë të premte derisa unë të jem kryetar i Partisë Socialiste.
Kur unë të mos jem më kryetar i Partisë Socialiste, zgjidhni e merrni si do bëni me ‘’Praninë Besnike’’ dhe me vendin dhe orën. Po çdo të premte në orën 5, të gjithë ne që jemi këtu do të jemi aty ku e kërkon “Prania Besnike’’, por jo për të bërë mbledhje. “Prania Besnike’’ nuk është një mbledhje, nuk është një takim ku vijnë disa njerëz dhe rrinë përballë tyre dhe ata fillojnë flasin dhe ne pastaj, fillojmë flasim. Jo. “Prania Besnike’’ është dëgjim me rradhë. Ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët, që do të thotë që kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë në atë vend dhe rri dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij, të cilët do të mbajnë shënim.
Nuk do t’i flasin se ai e ka gabim. Nuk do t’i thonë sesa shumë punë janë bërë, por thjesht dhe vetëm do mbajnë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe “Prania Besnike’’ nuk pranon kamera. “Prania Besnike’’ pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. ‘’Prania Besnike’’ refuzon përkatësinë partiake. Nuk ka asnjë rëndësi se i kujt parti je, nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar, nuk ka asnjë lloj problemi nëse ke qenë prototip kundër Partisë Socialiste në fushatë. Nëse ti do veshët tanë, veshët tanë janë aty në orën 5, ditën e premte dhe “Prania Besnike’’ nuk pranon dhënien e numrit të telefonit për të mos e hapur më pastaj telefonin dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave.
“Prania Besnike’’ është një sistem që duhet të disiplinojë institucionet, jo t’i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve.

‘’Prania Besnike’’ kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por që përmes rrugës së “Pranisë’’ me shkrim, të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacionin institucional. Me ligj dhe me zakon dhe në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të thënë sa bukur po punon qeveria po shkohet për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë.
Në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhurat dhe sa është rritur ekonomia, po shkohet për të dalluar çfarë nuk na thonë shifrat dhe të ardhurat dhe çfarë nuk na thotë rritja ekonomike dhe në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të marrë vota, as për të punësuar njerëz, as për të rekrutuar patronazhistët e ardhshëm, por shkohet për të marrë hallin dhe për ta referuar tek institucionet dhe ndërkohë merret përsipër të ndiqet edhe në emër të qytetarit, përveçse ai vetë do të bëjë ndjekjen e vet, rruga e hallit dhe këtu ka një vijë të panegociueshme nëse duam që “Prania Besnike’’ të ketë sukses, nëse duam që “Besa’’ të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja; nëse duam që “Pasqyra’’ të funksionojë, jo si shfaqja e fundit e Partisë Socialiste në hapësirën publike përpara zhdukjes së saj, por që të gjitha këto së bashku t’i japin një fuqi të re shumicës sonë.
Vija e panegociueshme është: partia nuk bën shtetin, deputeti nuk ndërmjetëson favore, kryetari i partisë nuk është sportel punësimi, militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që i jep ligji dhe të gjithë së bashku nuk janë ‘’kalaja dibrane’’ për të kapërcyer ‘’shkallën e meritës’’.
Suksesi i “Pranisë besnike’’ do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithmonë e më pak për të, sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë për shtetin që dëgjon, jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon. Çdo çështje dëgjohet, sqarohet dhe shkon në kanalin e duhur, rasti individual mbrohet, sinjali i përsëritur që vjen nga territori trajtohet si një problem sistemik.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/