Ashtu si dhe ishte lajmëruar, nga sot, 1 shtator, operatorët e transportit publik do të reduktojnë urbanet në kryeqytet. Duke nisur nga sot në Tiranë do të ketë 20%-30 % më pak flotë urbane në lëvizje, që përkthehet në pritje të më të gjata për qytetarët.
Përmes një letre drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përgjegjëse, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i njoftoi se gjendja financiare e operatorëve është rënduar ndjeshëm. Sipas tyre, mungesa e mbështetjes financiare e bën të pamundur vijimin e operimit me kapacitet të plotë.
Reduktimi i flotës nënkupton ulje të numrit të urbaneve nëpër Tiranë, zgjatje të kohës së pritjes për të marrë shërbimin e transportit publik linjave e shumë vështirësi për qytetarët. Ndërsa operatorët theksojnë se masa nuk është një zgjedhje vullnetare, por nuk kanë pasur mundësi tjetër si pasojë e situatës financiare.
Operatorët i kanë kërkuar institucioneve ndërhyrje urgjente për realizimin e kompensimeve dhe vijimin e mbështetjes për kostot e karburantit. Nga ana e tyre bëhet me dije se do të përpiqen të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit, por megjithatë nënvizojnë se shërbimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm në kushtet aktuale.
