Një bombë u gjet këtë të martë në një nënstacion elektrik në zonën Turnov-Prailak të Brandenburgut, pranë termocentralit Jensëalde në Gjermani.
Policia njoftoi se kishte shenja të dëmtimit të mundshëm në një linjë rrjeti, ndërsa piroteknikët janë dërguar në zonë për të neutralizuar pajisjet. Autoritetet sigurojnë se nuk ka rrezik për ata që ndodhen aty pranë.
Sipas policisë, këto ishin eksplozivë të improvizuar dhe pajisje ndezëse, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ndërsa media vendase “Märkische Allgemeine” raportoi se qëllimi i mundshëm i aksionit ishte të shkaktonte një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike duke goditur infrastrukturën, e lidhur me termocentralin e afërt të linjitit. Megjithatë, bazuar në informacionet fillestare, nuk pati ndërprerje.
Një zëdhënës i Leag, kompanisë që menaxhon termocentralin, tha se nuk kishte të lënduar midis punëtorëve.
Jensëalde, pranë Cottbus, është termocentrali më i madh me linjit në Brandenburg. Nga gjashtë njësitë që ishin fillimisht në funksion, vetëm dy ose tre mbeten aktive sot, të cilat ende mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të nevojave energjetike të rajonit. Termocentrali është planifikuar të mbyllet përgjithmonë në vitin 2028.
