Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar sot një precedent absurd që po ndodh përpara Gjykatës së Posaçme, ku sipas tij Policia e Shtetit është urdhëruar të largojë makinat e medias dhe pajisjet e lëvizshme të transmetimit.
Sipas tij, nga censura e institucionalizuar me rregullore brenda dyerve të gjykatës, kemi kaluar sot në dëbimin e medias edhe nga hapësirat publike jashtë saj.
"Sikur të mos mjaftonte “Rregullorja Rama” e GJKKO-së, që godet rëndë lirinë e medias, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, tashmë kemi një përshkallëzim edhe më të turpshëm dhe të paprecedentë, urdhërohet policia të largojë automjetet dhe pajisjet e transmetimeve të lëvizshme të gazetarëve nga ambientet e jashtme të gjykatës", shkruan ai.
Ditët e fundi, organizatat e medias dhe Gjykata e Posaçme janë përfshirë në një debat që ka rrjedhur dhe në publik, për mënyrën sesi gazetarët do të futen në sallat e gjyqeve, ndërsa sot ka nisur dhe largimi i makinave të mediave nga ambientet e jashtme.
"Kjo nuk është më thjesht censurë. Është represion ndaj lirisë së medias. Është institucionalizim i censurës. Është frikë nga e vërteta. Është intimidim i gazetarëve. Është keqpërdorim i Policisë së Shtetit si instrument presioni dhe dhune ndaj medias", shkruan Tedi Blushi.
Reagimi i plotë i deputetit Tedi Blushi:
Sikur të mos mjaftonte “Rregullorja Rama” e GJKKO-së, që godet rëndë lirinë e medias, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, tashmë kemi një përshkallëzim edhe më të turpshëm dhe të paprecedentë, urdhërohet policia të largojë automjetet dhe pajisjet e transmetimeve të lëvizshme të gazetarëve nga ambientet e jashtme të gjykatës!
Nga censura e institucionalizuar me rregullore, brenda dyerve të gjykatës, kemi kaluar sot në dëbimin e medias edhe nga hapësirat publike jashtë saj.
Kur gazetarët intimidohen dhe automjetet e tyre të punës merren me urdhër policie, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një kufizim procedural, por me një aksion të mirëfilltë për të imponuar me dhunë heshtjen dhe për të fshehur të vërtetën.
Kjo nuk është më thjesht censurë. Është represion ndaj lirisë së medias. Është institucionalizim i censurës. Është frikë nga e vërteta. Është intimidim i gazetarëve. Është keqpërdorim i Policisë së Shtetit si instrument presioni dhe dhune ndaj medias.
Në asnjë demokraci serioze europiane nuk mund të konsiderohet normale që gazetarët të përzihen nga hapësirat publike pranë një gjykate, t’u ndalohen mjetet e punës.
Kjo është një pamje që i përket regjimeve që kanë frikë nga transparenca, jo një shteti që pretendon se është demokraci dhe aspiron integrimin europian.
Drejtësia nuk ka pse të ketë frikë nga kamerat. Gjykatat nuk kanë pse të kenë frikë nga gazetarët. Vetëm ata që kanë nevojë të fshehin të vërtetën dhe kontrollin e tyre të plotë mbi institucionet i tremben medias, kamerave dhe transparencës.
Partia e Lirisë shpreh solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e pakushtëzuar me gazetarët dhe mediat që po bëjnë detyrën e tyre dhe i bën thirrje çdo gazetari të pavarur të mos pranojë asnjë rregullore, urdhër apo praktikë arbitrare që vendoset mbi ligjin, Kushtetutën dhe KEDNJ-në.
Asnjë rregullore nuk është mbi Kushtetutën. Asnjë gjykatë nuk është mbi ligjin. Asnjë polici nuk i lejohet të përdoret si forcë ndëshkuese ndaj medias.
Nuk do të lejojmë që GJKKO të shndërrohet në një bunker të drejtësisë së kontrolluar nga Edi Rama dhe që Policia e Shtetit të kthehet në krahun e zgjatur të një sistemi që kërkon të imponojë heshtjen me presion dhe forcë.
Pa liri të medias nuk ka demokraci! Pa transparencë nuk ka drejtësi dhe pa një drejtësi të pavarur nuk ka shtet ligjor! Kush ka frikë nga kamerat, ka frikë nga e vërteta. Dhe kush ka frikë nga e vërteta, nuk mund të flasë në emër të drejtësisë!
