Ndonëse ditën e djeshme Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për të dyja palët e prekura si pasojë e dhunimit të kamerierit 18-vjeçar Genti Nela, sot janë zbuluar versionet e përplasjes së tyre e cila për pak sa nuk përfundoi me tragjedi.
Sipas xhaxhait të 18-vjeçarit, Melsion Nela mësohet se e gjiihë përplasja ka filluar më datë 27.08.2026, rreth orës 23:00, i cili në ato momente ka qenë drejtuar për në banesën e tij, në Malin e Robit, kur ka parë disa persona të gjakosur, pranë lokalit ku ishte punësuar nipi i tij.
Referuar dëshmisë së Melison Nelës, të siguruara nga VNA, mësohet se 47-vjeçari ka qenë në automjet dhe ka ndaluar i shqetësuar se mos i ka ndodhur diçka nipit të tij. Në ato momente Nela ka pyetur shtetasin Beni Duda, i cili po ashtu ishte i punësuar kamerier në lokalin ku punonte nipi i tij. Ky i fundit i ka bërë me dije Melisonit se Genti është dhunuar nga djemtë e Fatmir Habilit. Në këto rrethana mësohet se Melison Nela është afruar pranë vendngjarjes ku është ndeshur me shtetasin Fatmir Habili. Këtij të fundit i është prezantuar si xhaxhai i Gentit, e njëkohësisht e ka pyetur në lidhje me përplasjen mes djemve.
Sipas Nelës, Fatmir Habilaj i ka thënë se do t'i fuste në dhe dhe do ta vriste. Gjatë bisedës me Fatmir Habilajn, Nela pretendon se kanë ndërhyrë disa të rinj. Për rrjedhojë, Nela thotë se ai ka kërkuar ndjesë dhe është larguar nga aty. Mirëpo në momentin që po largohej, Nela thotë se i është afruar një grua me syze optike dhe flokë bionde, e cila e ka ndjekur nga pas dhe i ka thënë pothuajse të njëjtat fjalë si Fatmir Habilaj: Nipin do ia fusnin në dhe. Kështu, Melsion Nela i është kundërpërgjigjur se sa të jetë ai, nipit të tij nuk do t'i ndodhë asgjë.
Po ashtu, Nela ka zbuluar se në momentin që ka mbërritur në vendngjarje, nuk e ka takuar nipin e tij, Gentin pasi ai nuk ndodhej aty. Pasi ka vënë re mungesën e Gentit ai ka biseduar me vëllain e tij, duke i thënë se djalin ia kishin dhunuar.
Mirëpo një tjetër version ka ardhur nga pala tjetër. Një nga biznesmenët e shpallur në këkrim në lidhje me dhunimin e 18-vjeçarit, Abrër Habilaj ka pretenduar se e gjithë ngjarja është manipuluar pasi Genti është djali i oficerit të Policisë, Alban Nela.
Sipas Habilaj, hoteli i tij “Flar” që ndodhet në bregdetin e Kavajës, është hapur 1 muaj me vonesë, pikërisht në 10 Gusht 2026.
“...ndërsa plani ynë ishte që biznesi të hapej në 10 korrik. Prej fillimit të korrikut kemi marrë në punë disa persona, duke krijuar organikën e stafit. Mes personave të punësuar ka qenë dhe Genti Nela, djali i oficerit të policisë pranë Komisariatit të Kavajës, Alban Nela...” ka thënë Arbër Habilaj në një bisedë telefonike të bërë me gazetarin Elton Qyno.
Më tej, Abrër Habilaj është shprehur se ai ka dashur që ta largojë nga puna Gentin sepse nuk po e bënte punën e tij si135 duhej.
“...unë doja ta largoja nga puna, se nuk po e bënte mire punën, rinte gjithë kohën me telefon dhe nuk shërbente në kohë...”, duke shtuar se Genti Nela kishte ardhur në hotel përpara hapjes së tij zyrtare dhe se ishte paguar edhe përpara se të fillonte punë zyrtarisht hoteli.
Arbër Habilaj ka këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë konflikt për çështjen e pagesës, ndërsa shton se shkak është bërë goditja me gotën e qelqit që kamarieri Genti Nela, ka qëlluar vëllain e tij, Florian Habilaj, të cilit i ka shkaktuar dhe 8 të çara në kokë.
Habilaj pohon dhunën e ushtruar ndaj Genti Nelës, duke theksuar se kjo ka ndodhur sapo ka parë të vëllanë të gjakosur në fytyrë.
“...Nuk kisha çfarë të bëja, veprova në gjaknxehtësi e sipër, kur pashë ashtu vëllain të gjakosur në fytyrë...”ka pohuar Habilaj.
Sipas versionit të tij, më 27 gusht i është komunikuar Gentit Nelës se duhej të largohej nga puna dhe t'i merrte paratë që i takonin. Habilaj pretendon se i ka thënë të shkonte te burri i motrës së tij, i cili, sipas tij, merrej me pagesat e hotelit. Por, sipas Habilajt, 18-vjeçari ka kërkuar të qëndronte edhe dy ditë të tjera.
“...donte të rrinte. I thashë ik, merr te burri i motrës time ditët që ke punuar dhe të çoj në shtëpi. Se e çoja unë çdo natë në Kavajë me furgon, i paguaja dhe furgonin këtij, Gentit. “...Do rri dhe dy ditë...”-tha. Po të ishte punë rroge kjo nuk do kishte ndodhur se Genti Nela duhet të merte rrogën në 11 shtator, fiks 1 muaj pasi u hap hoteli. Por nuk ka qenë punë rroge, por e gjitha ndodhi pasi Genti Nela, qëlloi në kokë me gotën e qelqit, vëllain tim duke i shkaktuar dëmtime të rënda..." ka treguar Arbër Habilaj.
Më tej ky i fundit ka ngritur akuza duke thënë se e gjithë ngjarja është manipuluar nga oficeri i policisë gjyqësore Alban Nela, i cili është babai i Genti Nela dhe vëllai i Melison Nelës.
“...Alban Nela, oficeri i policisë, ka manipuluar gjithçka. Edhe kapjen e vëllait të tij me automatik e ka organizuar ai duke e mësuar më pas të vëllain se çfarë qëndrimi të mbajë në polici lidhur me prezencën e armës automatike që ju kap në makinë. Po ç’janë këto pretendime që thotë vëllai se: “...armën do e hidhte në përrua...”. Po pse do e hidhte në përrua, kur mund tia jepte të vëllait, që e kishte oficer policie. Melison Nela, është një person ordiner, që ka dhunuar dhe më pas divorcuar gruan e tij, të cilën dhe e ka kërcënuar se do e vrasi....” ka treguar Arbër Habilaj.

