E ashtu sikurse tanimë dihet që prej ditëve të nxehta të korrikut e gushtit, “harmonia” mes organizatorëve të protestës mungon. Kjo pasi ashtu si dhe ata vetë e kanë treguar, përmes veprimeve, por e mosveprimeve të tyre, janë ndarë në kampe të ndryshme, kush e kush të marrë “meritën” me të madhe.
Dhe pas tensioneve të një nate më parë duket se paska qenë një tjetër “skenar” i cili është nxjerrë në pah nga një prej aktivisteve, të resë Laura Kërtalli, e cila ka qenë pjesë e protestave qysh në ditët e para.
Sipas saj, mbrapa të gjithë asaj përplasjeje, ku protagonist ishte edhe Dritan Goxhaj, ka një tjetër skenar, i cili lidhet me mënyrën se si u menaxhua protesta dhe vendimi për tërheqjen e protestuesve nga Kryeministria.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kërtalli ka hedhur akuza të forta ndaj disa prej figurave organizative të protestës, duke pretenduar se përshkallëzimi i situatës ishte diskutuar më herët, por se kishte pasur kundërshtime për shkak të numrit të protestuesve, dhe personi që ka qenë kundër ka qenë pikërisht Dritan Goxhaj.
Sipas saj, situata ndryshoi gjatë mbrëmjes kur u pa se kryeministri Edi Rama kishte mbërritur në Kryeministri. Kërtalli pretendon se pikërisht në atë moment u kërkua një “përshkallëzim spontan”, ndërsa më pas protestuesit rrethuan godinën, duke ngritur pikëpyetje dhe dyshime më tej për mënyrën se si qytetarëve iu kërkua të sprapseshin më vonë,
“Ky teatër mund t’ju ishte kthyer kundër, nëse protestuesit do të qëndronin aty të palëkundur dhe nuk do të tërhiqeshin. Njerëzit po vinin për t’iu bashkuar protestës, numrat po shtoheshin, por… çudia ndodhi. Andi Tepelenës iu bënë sytë sikur Rama doli nga godina dhe menjëherë lajmëroi Meçan Zotajn. Meçan Zotaj u bëri thirrje protestuesve të tërhiqeshin, sepse Rama kishte ikur, dhe të vazhdonin marshimin. Rama nuk kishte ikur; iku pasi protestuesit u shpërndanë. Figurat organizative janë të kapura nga pushteti dhe tallen me protestuesit”, shkruan ajo, duke theksuar më tej se përshkallëzim i protestave është i nevojshëm, por jo nën drejtimi ne atyre që ajo i konsideron “tradhtarë”.
Ndërkohë, ajo njofton se protestat do të vijojnë edhe gjatë muajit shtator, me grumbullime të përditshme në Sheshin Skënderbej.
Postimi i plotë i Laura Kërtallit:
TEATËR.
Kam debatuar fuqishëm në tryezë me kryekomandant Dritan Goxhajn për përshkallëzim dhe vazhdimisht më ka thënë se, edhe në rast se jemi të mirëorganizuar, nuk kemi numra dhe se ai është kategorikisht kundër.
Çuditshëm, sonte i erdhi një dëshirë e zjarrtë për përshkallëzim spontan, të paparalajmëruar, pasi paskësh parë Ramën të vijë në Kryeministri.
Aty atdhedashuria i pushtoi kraharorin dhe e arrestuan, si gjithmonë…
Gjithsesi, atdhedashuria e vërtetë pushtoi edhe kraharorin e protestuesve dhe Kryeministria u rrethua.
Ky teatër mund t’ju ishte kthyer kundër, nëse protestuesit do të qëndronin aty të palëkundur dhe nuk do të tërhiqeshin.
Njerëzit po vinin për t’iu bashkuar protestës, numrat po shtoheshin, por… çudia ndodhi.
• Andi Tepelenës iu bënë sytë sikur Rama doli nga godina dhe menjëherë lajmëroi Meçan Zotajn.
• Meçan Zotaj u bëri thirrje protestuesve të tërhiqeshin, sepse Rama kishte ikur, dhe të vazhdonin marshimin.
Rama nuk kishte ikur; iku pasi protestuesit u shpërndanë.
Figurat organizative janë të kapura nga pushteti dhe tallen me protestuesit.
Ndërkohë që protestuesit rriheshin e arrestoheshin, fonia cicëronte dhe mikrofoni vazhdonte programin.
Përshkallëzimi duhet, por jo nën organizimin e tradhtarëve.
Shtatori ka nisur protestat e paradites, të cilat do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës.
Njerëzit mblidhen çdo ditë në orën 9:00 te Sheshi Skënderbej.
Përshkallëzimi do të vijë gradualisht, me lajmërim.
E nëse vjen spontanisht, nuk duhet të zbrapset më njeri.

