Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Tragjedia në familjen Alite, aksidenti tragjik i mori jetën në moshën 49-vjeçare djalit të ish-trajnerit dhe ish-kryebashkiakes së Shijakut

Shkruar nga Newsbomb
Tragjedia në familjen Alite, aksidenti tragjik i mori jetën në
Laurel Alite

Një aksident tragjik i mori jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm 49-vjeçarit Laurel Alite, djalit të ish-lojtarit dhe ish-trajnerit të mirënjohur të ekipit të Volejbollit “Erzeni”, Lulzim Alite, duke lënë në dhimbje të pamasë familjen e tij, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin në qytetin e Shijakut.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 09:05 në aksin rrugor Gosë-Vilëbashtovë, në Kavajë, ku një automjet me drejtues shtetasin Caci Novaku u përplas me motomjetin që drejtohej nga Laurel Alite. Përplasja rezultoi fatale për 49-vjeçarin, i cili nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra si pasojë e aksidentit.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërriti grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së përplasjes, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet që çuan në aksidentin tragjik.

Por pak këtij lajmi të kobshëm, qëndron historia e një prej familjeve më të njohura dhe fisnike në Shijak, jeta e të cilëve ka qenë e lidhur prej vitesh me sportin, e veçanërisht me volejbollin.

Laureli ishte pjesë e një familjeje mbiemri i të cilëve ka lënë gjurmë në sportin shijakas, me të atin Lulzim Alite, ish-lojtar dhe ish-trajner, si dhe me vëllain e tij, Rubensin, i cili gjithashtu ka veshur fanellën shijakase dhe ka përfaqësuar qytetin.

Krahas kontributit të familjes në sport, në jetën publike dhe arsimore të Shijakut është e njohur edhe e ëma e Laurel Alites, Afërdita Alite e cila për shumë vite ka drejtuar shkollën “Lidhja e Prizrenit”, ndërsa ka mbajtur edhe detyrën e kryetares së Bashkisë Shijak.

Laureli njihej në qytet si një njeri fisnik, i dashur dhe i respektuar, ndërsa miqtë dhe të njohurit e kujtojnë edhe për pasionin e tij për sportin dhe veçanërisht për ekipin e volejbollit Erzeni, me të cilin familja e tij ka një lidhje të hershme dhe kontribute të çmuara.

“Qofsh i xhehnetit kusho(siç vetem ti me therrisje). Engjejt qofshin me ty kudo Laurel Lulzim Alite. Nuk kam fjale. Kurre nuk do doja te beja kete postim . As i imagjinoj dot qe nuk je me ti qe vetem qeshje”, shkruan një prej kushërinjve të tij në rrjetet sociale.

Kjo ndarje e kobshme, e beftë, ka lënë pas në dhimbje familjen Aliti, dy engjëjt e Laurelit, bashkëshorten, prindërit, e të gjithë ata miq e shokë që pati ndër vite. Por një trishtim të thellë ka lënë edhe në komunitetin sportiv të Shijakut, ku emri i familjes Alite ka qenë i lidhur prej dekadash me historinë e volejbollit dhe të Erzenit.

Në këtë ditë zie, “Erzeni Ndër Vite” ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Alite, duke i qëndruar pranë në këtë moment të vështirë dhe duke përcjellë dhimbjen për humbjen e parakohshme të Laurel Alites.

“Erzeni Ndër Vite i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta”, thuhet më tej në reagimin e bërë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese