
Ndërsa velierat e vogla, të cilat sollën në Shqipëri dhjetëra aktivistë të “Global Sumud Flotilla” dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare, u ankoruan dhe lidhën litarët në skelat e portit të Vlorës të premten në mesditë (21 gusht), ata dhe aktivistët vendas që i pritën kënduan në kor “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në Burg”.
Dy prej parullave më të njohura të atij që njihet si “Revolucioni i Flamingove” dhe që flotilja dhe aktivistët kanë ardhur të mbështesin përmes një aksioni simbolik, por që sipas tyre dëshmon se protesta që vijon në Tiranë prej afro tre muajsh tashmë është një përpjekje ndërkombëtare dhe një shembull për vende të tjera.
“Vetëm nëse jemi të bashkuar në nivel ndërkombëtar, mund t’i ngremë digë asaj që po na shtyp jetën, dinjitetin, tokën”, tha Tony La Piccirella, pjesë e ekipit koordinator ndërkombëtar të “Global Sumud Flotilla”, gjatë një konference për shtyp të improvizuar në Vlorë dhe që u transmetua live në rrjetet sociale.
E pagëzuar si një nismë e përbashkët e kolektivit italo-shqiptar “Mesdhe”, atij shqiptar “Palestina e Lirë” dhe degës italiane të nismës “Global Sumud Flotilla”, kjo lëvizje vjen në mbështetje të protestës së mijëra qytetarëve shqiptarë kundër planeve të qeverisë shqiptare për t’i dhënë ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Zvërnecit investitorëve për ndërtimin e resorteve të luksit – lëvizje që është zgjeruar më pas me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe që kërkon po ashtu shfuqizimin e legjislacionit që shihet se mundëson këto zhvillime.
Investimi i kundërshtuar është i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka po ashtu një rol kontrovers si negociator i armëpushimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Kushner po ashtu promovoi në janar të këtij viti një plan të Shtëpisë së Bardhë për ta kthyer Gazën, një qytet i rrënuar nga bombardimet që u kanë marrë jetën mijëra civilëve, në një qendër tregtare dhe teknologjike. Sipas aktivistëve të “Global Sumud Flotilla”, kjo do të shërbente për të lehtësuar zhvendosjen e popullsisë dhe fshirjen e kulturës palestineze.
Përpos aktivistëve italianë e të tjerë që erdhën me flotiljen, një grup të rinjsh e të rejash me origjinë nga Shqipëria, por lindur e rritur në Itali, po ashtu zbritën në Vlorë në atë që e quajtën një përpjekje për të përkujtuar sakrificën e prindërve të tyre.
“Unë si Toni jam puljeze, por jam edhe shqiptare”, tha Clara Osma një prej aktivisteve, pjesë e kolektivit shqiptaro-italian “Mesdhe”, ndërsa tha se si pjesë e diasporës ata udhëtonin sot edhe për të nderuar sakrificën e prindërve të tyre që e kaluan detin me varka të vogla për një jetë më të mirë. Ajo tha se kjo sakrificë i motivonte ata sot të kishin kurajo e të luftonin për të drejtat tona. Ajo tha se projekte si ai i Zvërnecit dhe ai në Ostuni ku ajo ka lindur ishin “pushtime autokratësh”.
“Sot ne mbartim me vete trashëgiminë e prindërve tanë, të cilët kaluan detin me varka të vogla në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Sot e kalojmë atë sërish, jo për të ikur, por si një formë e rezistencës kolektive, në bordin e varkave të Global Sumud Flotilla, të cilat mishërojnë vlerat e drejtësisë, lirisë dhe solidaritetit ndërkombëtar”, tha ajo, duke thënë se vlerësonte shumë ata që kishin qëndruar në Shqipëri dhe përpjekjen e tyre.
Në të njëjtën linjë foli edhe Antonella Dedja, babai i të cilës u largua për në Itali me anijen Vlora në vitin 1991 dhe jetoi bashkë me mijëra të tjerë me sheqer dhe ujë derisa zbriti në krahun tjetër të bregdetit. “Jam këtu sot për të mbajtur gjallë memorien e babait tim”, tha Dedja, duke theksuar se protesta në Shqipëri e kishte frymëzuar dhe se mezi kishte pritur t’i bashkohej asaj.
Fjalë në konferencën për shtyp mbajti edhe Yazan Eissa, aktivist nga Palestina, i cili ndërsa foli për situatën e rëndë në Gaza, që siç tha ai është një gjenocid që vijon prej 1049 ditësh. Ai tha se kundërshtimi i projektit në Zvërnec është në një formë e njëjta luftë e njerëzve për të mbrojtur tokën e tyre që ai e cilësoi një “intifadë ndërkombëtare”.
Në mbrëmje aktivistët e ardhur me anije dhe pjesëtarë të diasporës e qytetarë të Vlorës u bashkuan në një protestë marshim në rrugët e qytetit, duke kërkuar ndalimin e projekteve dhe largimin e qeverisë.
Aktivisti Baki Goxhaj, i cili koordinoi lokalisht aktivitetin, i tha BIRN se gjithçka shkoi shumë mirë. “Pritja ka qenë e shkëlqyer nga protestuesit lokalë. Ka një sinergji natyrale mes protestuesve gjë që është jashtëzakonisht e bukur ta përjetosh”, tha Goxhaj, që ironizoi ata që e kundërshtuan nismën si kripto-fashistë dhe tha se meraku i tyre ishte i rremë.
Goxhaj po ashtu qe i ashpër me qeverinë që tha ai kishte stacionuar punonjës policie në Sazan, ku flotilja ishte menduar të ndalonte por që u shmang. “Paranoja tërësisht e pajustifikuar e regjimit ndaj një misioni simbolik detar, është tregues që ky regjim është në grahmat e fundit, gjë që e bën një profeci vetëpërmbushëse thirrjen e protestuesve ‘ju erdhi fundi!’”, përfundoi ai







