
Deputeti demokrat Bardh Spahia tha në një deklaratë për mediat se vendimi i miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave nuk përbënte reformë të sistemit shëndetësor, por sipas tij krijonte një mekanizëm të ri për administrimin e kontratave ekzistuese koncesionare.
“Në thelb, ky vendim nuk bën gjë tjetër veçse institucionalizon dhe centralizon edhe më tej menaxhimin e kontratave korruptive në shëndetësi, duke i shkëputur ato nga çdo mundësi konkurrimi, transparence dhe rivlerësimi periodik,” deklaroi Spahia.
Ai pretendoi gjithashtu se modeli i zgjedhur nga qeveria nuk kishte një ekuivalent në vendet e Bashkimit Europian dhe ngriti pikëpyetje mbi përputhshmërinë e tij me procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Spahia nuk paraqiti në deklaratë një analizë krahasuese ose dokumente që mbështesnin këtë pretendim.
Sipas deputetit të opozitës, krijimi i operatorit duhej të ishte paraprirë nga konsultime publike me ekspertë dhe profesionistë të shëndetësisë, si dhe nga një rivlerësim i kontratave koncesionare të lidhura gjatë dekadës së fundit.
Spahia e vuri theksin te katër kontratat e njohura gjerësisht si koncesionet e shëndetësisë, duke pretenduar se prej vitit 2015 ato u kanë kushtuar taksapaguesve 45.5 miliardë lekë, ose mbi 500 milionë euro.
Ai i përshkroi këto kontratat si një barrë të pajustifikuar për buxhetin dhe duke pretenduar se ato nuk kanë sjellë përmirësimin e premtuar të shërbimeve.
Katër kontratat e kritikuara ndër vite nga opozita përfshijnë kontrollin bazë shëndetësor, sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, shërbimin laboratorik dhe hemodializën. Disa prej tyre kanë qenë gjithashtu objekt hetimesh penale dhe debatesh të vazhdueshme mbi kostot dhe mënyrën e zbatimit.
Spahia argumentoi se përqendrimi i administrimit të kontratave në një operator të vetëm rrezikonte të reduktonte konkurrencën dhe kontrollin mbi përdorimin e fondeve publike.
“Mungesa e konkurrencës është këmbana më e fortë e alarmit se abuzimi me paratë publike jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të institucionalizohet edhe më tej,” tha ai.
Deputeti demokrat e lidhi vendimin gjithashtu me kritikat e përsëritura të opozitës ndaj mënyrës se si qeveria e kryeministrit Edi Rama ka administruar partneritetet publike-private dhe fondet e shëndetësisë.
PD premtoi se do të vazhdonte të denonconte kontratat që i konsideron abuzive dhe kërkoi një sistem shëndetësor të bazuar në konkurrencë, transparencë dhe llogaridhënie.







