AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Musine Kokalari, nga rezistenca ndaj tiranisë te Revolucioni i Flamingove

Trashëgimia e Musine Kokalarit na kujton se rezistenca demokratike fiton forcë dhe legjitimitet kur mbetet paqësore dhe qytetare, mbështetet te idetë dhe ruan, mbi të gjitha, respektin për dinjitetin njerëzor.

Nashi BrookerngaNashi Brooker
3 weeks më parë
në Artikull kryesor, Opinion, Revolucioni i Flamingove
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Një foto e Musine Kokalarit në muze. Foto: BIRN.

Pas disa ditësh në Tiranë, unë dhe bashkëshorti im iu bashkuam protestave të pagëzuara si Revolucioni i Flamingove. Brenda pak mbrëmjesh, shqipja e tij dukej se kishte bërë përparim të beftë. Ai u bashkohej me zë dhe duartrokitje thuajse të gjitha thirrjeve që jehonin në rrugët e kryeqytetit.

Një mbrëmje takuam Fatos Lubonjën, vajzën e tij, Tetis, dhe mbesën e tij, mes pankartave me flamingo rozë që, në muzgun e Tiranës, merrnin një pamje thuajse engjëllore. Pas përshëndetjeve, Lubonja na tha: “Marshimi në bulevard është faza kur ndjen një energji të paparë.”

Pikërisht kjo energji më shtyu të mendoja për Musine Kokalarin. Në apartamentin tim të vogël, ndërsa ndiqja kërkesat e protestuesve, mbulimin e mediave shqiptare dhe ndërkombëtare, deklaratat e politikanëve dhe reagimet e kryeministrit Edi Rama, më lindi ideja të krijoja një bluzë të kuqe me portretin e saj.

Ideja u realizua me ndihmën e një gruaje që kishte ardhur nga Italia për të mbështetur protestën dhe që, ashtu si unë, admironte Musine Kokalarin dhe Sabiha Kasimatin. Për disa mbrëmje, së bashku me Arben Kolën, një prej koordinatorëve të protestës, dolëm përpara Kryeministrisë me bluzat tona. Portretet ngjallnin kureshtje. Të huajt ndalonin, pyesnin se kush ishte Musineja, nxirrnin telefonat dhe shënonin emrin e saj. Pak ditë më vonë, një grua mbante një bluzë me portretin e Musinesë gjatë një vizite në Aushvic.

Kjo skenë ngre në mendjen time ngre një pyetje më të madhe. Përse një grua e lindur më shumë se një shekull më parë vazhdon të ketë domethënie për Shqipërinë e sotme?

Një heroinë për kohën tonë

image
Fatos Lubonja dhe Nashi Booker duke marshuar gjatë protestave në Tiranë

Ndoshta as vetë Musine Kokalari nuk do ta kishte imagjinuar se, katër dekada pas vdekjes, portreti i saj do të rikthehej në rrugët e Tiranës. E formuar nga tradita e Rilindjes Kombëtare dhe veçanërisht nga mendimi i Sami Frashërit, Kokalari e ndërtoi jetën publike rreth disa parimeve të thjeshta, por kërkuese: drejtësisë sociale, pluralizmit dhe lirisë individuale. Ajo nuk ngurroi të sfidonte as intelektualët e njohur të viteve 1930, të cilët i konsideronte tepër pasivë përballë sfidave të kohës.

Kur hyri në politikë, vendosmëria me të cilën mbronte bindjet e saj shqetësonte jo vetëm kundërshtarët, por ndonjëherë edhe aleatët. Në programin e Partisë Socialdemokrate, ajo artikuloi një vizion që synonte të luftonte pabarazinë dhe padrejtësinë përmes institucioneve demokratike. Por rëndësia e saj historike qëndron mbi të gjitha në kundërshtimin e përpjekjes për ta shndërruar Shqipërinë në një shtet njëpartiak të mbështetur mbi frikën dhe terrorin.

Çmimi që pagoi ishte i jashtëzakonshëm. Musineja e vazhdoi betejën kundër tiranisë në burg dhe më pas në internim. Në qelitë e mbipopulluara mbronte gratë e reja nga abuzimet dhe u shkruante autoriteteve të burgut në emër të tyre. Në ditarët e saj shkroi: “Jam e varrosur për së gjalli.” Kjo nuk ishte shenjë dobësie; ishte vazhdimi i betejës kundër tiranisë. Në qelitë e burgut të Tiranës gjatë viteve ’50, deklaroi: “Shpirti civil në këtë vend është thyer njëherë e përgjithmonë”.

Edhe gjatë internimit, ku u detyrua të punonte si punëtore ndërtimi, Kokalari nuk pushoi së kërkuari të drejtat e saj dhe të grave të tjera. Pas 10 vitesh përballjeje me strukturat lokale në Rrëshen, ajo arriti që gratë që punonin në ndërtim të përfitonin pagë mujore.

Këto mund të duken si beteja të vogla përballë brutalitetit të një diktature. Por pikërisht këtu qëndron një pjesë e trashëgimisë së saj, e cila na mwson se autoritarizmi nuk kundërshtohet vetëm përmes deklaratave të mëdha politike. Ai kundërshtohet edhe duke mbrojtur dinjitetin e individit në jetën e përditshme.

Nga Musineja te Flamingot

revulucioni i flamingove foto nga nensi bogdani
Revolucioni i Flamingove | Foto: Nensi Bogdani

Më shumë se dy muaj protesta në rrugët e Tiranës kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë ndaj korrupsionit, mënyrës së ushtrimit të pushtetit dhe marrëdhënieve mes politikës dhe interesave ekonomike. Për disa, Revolucioni i Flamingove mund të duket si një shpërthim i papritur. Në të vërtetë, ai pasqyron tensione të grumbulluara prej vitesh.

Shqipëria e sotme, natyrisht, nuk është Shqipëria totalitare e Enver Hoxhës. Zgjedhjet zhvillohen, mediat opozitare ekzistojnë dhe qytetarët mund të protestojnë. Çdo krahasim që i barazon këto dy sisteme do të ishte historikisht i gabuar.

Por kjo nuk do të thotë se demokracia duhet marrë si e mirëqenë. Përqendrimi i pushtetit, dobësimi i mekanizmave të kontrollit, ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike dhe personalizimi i institucioneve janë rreziqe reale për çdo demokraci. Pikërisht në këtë pikë historia e Kokalarit fiton aktualitet. Jeta e saj ishte një paralajmërim për atë që mund të ndodhë kur partia dhe shteti fillojnë të bëhen të padallueshëm.

Flamingot që u shndërruan në simbol të protestës e kanë origjinën në Nartë dhe Zvërnec, por simbolika e tyre tashmë ka mbërritur përpara Kryeministrisë. Dhe bashkë me ta është rikthyer edhe Musineja – jo si një relike dekorative e së kaluarës, por si një pyetje drejtuar së tashmes: çfarë duhet të bëjnë qytetarët kur ndiejnë se institucionet nuk i përfaqësojnë më?

Gjuha dhe pushteti

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje kërkon të shqyrtojmë jo vetëm mënyrën se si ushtrohet pushteti, por edhe gjuhën përmes së cilës ai legjitimohet.

Gjatë viteve të tij në qeverisje, Edi Rama ka ndërtuar një stil politik thellësisht të personalizuar, shpesh të mbështetur në sulme ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve. Retorika që e paraqet Partinë Socialiste si të vetmen forcë të aftë për të qeverisur mund të jetë efektive elektoralisht, por ajo mbart një rrezik më të madh, zbehjen e kufirit mes mandatit të një shumice dhe pretendimit për monopol mbi legjitimitetin politik.

Edhe më shqetësuese është prirja për t’i portretizuar kundërshtarët ose protestuesit si instrumente të interesave të huaja. Shqipëria e njeh mirë këtë mekanizëm. Regjimi komunist e përdori vazhdimisht figurën e “armikut” dhe “agjentit të huaj” për të delegjitimuar kundërshtimin politik. Musine Kokalari e përjetoi personalisht survejimin dhe persekutimin që buronte nga kjo logjikë.

Jehona të së njëjtës traditë retorike shfaqen kur kundërshtarët përshkruhen përmes kategorive të trashëguara nga konfliktet e së kaluarës. Në një sulm ndaj Agron Shehajt, Rama e quajti atë “ballist” dhe e krahasoi me ballistët që “hynin në kotec për të grabitur pula”.

Musine Kokalari ishte vetë objekt i një gjuhe të ngjashme denigruese në letërsinë propagandistike të regjimit komunist, përfshirë veprat e Shevqet Musarajt si poema“Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe librin “Para Agimit”.

Çfarë mund të ndryshojnë Flamingot?

photo 2026 08 01 20 26 38
Protesta maratone e Flamingove | Foto: LSA

Pas më shumë se tri dekadash tranzicion, Shqipëria përballet me një bilanc kontradiktor: qytete të betonizuara, zhvillim të pabarabartë, zona turistike që transformohen me shpejtësi, institucione që ende përpiqen të fitojnë besimin e publikut dhe një klasë politike që shumë qytetarë e perceptojnë si të shkëputur nga problemet e tyre të përditshme.

Në këtë kontekst, rikthimi i protestës si një formë e angazhimit qytetar ka rëndësi në vetvete.

Fatos Lubonja, një nga intelektualët publikë më të njohur të Shqipërisë dhe një prej zërave të protestës, beson se lëvizja duhet të vazhdojë. Sipas tij, Shqipëria po ndryshon gradualisht mentalitetin e saj politik, edhe pse askush nuk mund të parashikojë se çfarë rezultatesh konkrete do të sjellë protesta.

Kjo pasiguri nuk e zvogëlon domethënien e saj. Kudo që shkon e bisedon, kupton se shumë qytetarë kanë ndryshuar mënyrën se si e shohin marrëdhënien e tyre me qeverinë dhe klasën politike. Protesta nuk është më tabu.

Mësimi i Musinesë

Por protestat nuk janë të imunizuara ndaj të njëjtave tundime që kritikojnë. Ashtu si protestuesit mund të etiketohen pa prova si “tradhtarë” apo njerëz në shërbim të agjenturave të huaja, edhe brenda diskursit kundër qeverisë mund të shfaqen narrativa konspirative, gjuhë antisemite dhe paragjykime ndaj grupeve të tjera.

Kjo është pikërisht arsyeja pse trashëgimia e Musine Kokalarit ka rëndësi.

Sfida e Revolucionit të Flamingove nuk është thjesht t’i kundërvihet pushtetit, por ta bëjë këtë me mjetet që i japin kuptim demokracisë: paqësisht, përmes qytetarisë, përmes ideve dhe me respekt të palëkundur për dinjitetin njerëzor.

Musineja e përfundoi jetën nën shtypjen e regjimit komunist, por nuk hoqi dorë nga bindja se Shqipëria mund të bëhej një vend tjetër: më i drejtë, më i lirë dhe më njerëzor.

Ajo nuk mund të kthehet fizikisht në Tiranë. Por idetë e saj janë aty.

Ajo na mëson se demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo mbrohet çdo ditë: duke kundërshtuar abuzimin me pushtetin, duke mos pranuar gënjeshtrën si normë, duke mbrojtur të vobektët, duke respektuar kundërshtarin dhe, mbi të gjitha, duke mos lejuar që frika të bëhet mënyrë jetese. Idetë e saj kthehen në shesh sa herë që një grua kërkon të drejtën për të folur, një gazetar kërkon të pyesë, një intelektual refuzon heshtjen dhe një qytetar del në rrugë paqësisht për t’u kërkuar llogari ligjvënësve dhe politikëbërësve.

Prandaj, portreti i Musine Kokalarit mbi një bluzë të kuqe, përballë Kryeministrisë, nuk është thjesht një kujtim historik. Është një simbol i një vazhdimësie morale, ku virtytet janë mbajtja lart e dinjitetit personal dhe atij kombëtar.

Kush e njeh veprën e Musine Kokalarit, çdo ditë jeton duke shfletuar librin e jetës së saj. Sot, ne të gjithë mund të mësojmë shumë nga vizioni i Musines.

Nashi Brooker është juriste, ish-punonjëse e administratës publike shqiptare dhe britanike, si dhe studiuese e Musine Kokalarit dhe e periudhës komuniste në Shqipëri.

 

Tjetri
59851d2ffe2960bf0a45c7ab3f91a551de7af461 4900x3266

Evropa dështoi përballë provës së Ceutës

photo 2026 09 02 21 35 41

Mbyllja e faqeve të mediave në platformat e Meta-s alarmon gazetarët shqiptarë

21:41 | 05/09/2026
edhe një herë për çmimin e bananeve

Edhe një herë për çmimin e bananeve

09:31 | 05/09/2026
Traumë e trashëguar: Si i mundon ende të rinjtë lufta e Bosnjës

Vuçiçi i cilëson “budallallëqe” kritikat e BE-së ndaj nderimeve për Mlladiçin

17:50 | 04/09/2026
viber image 2026 09 04 14 05 08 143 1536x1152

Kosova padit zyrtarë serbë të sigurisë për masakrën në kompleksin e familjes Jashari

17:26 | 04/09/2026
protesta te 3 shi

Gjykata i shpall të paligjshme arrestimet e 14 protestuesve te Kryeministria

17:24 | 04/09/2026
klp bosh

KLP e kthen garën për kryeprokurorin e ri në ‘një lojë kungulleshkash’

15:27 | 04/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.