Ilustrim

Ranë në kontakt me rrymën në një lokal, vdesin dy persona në Shqipëri

Dy persona kanë vdekur pasi dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, në Shqipëri.

Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, ka konfirmuar për KALLXO.com se viktimat janë S. P., 40 vjeç, roje i lokalit, dhe D. D., 46 vjeç, elektricist.

Sipas Policisë, të dy personat dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S.

S. P. humbi jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa fillimisht u raportua se D. D. ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia më pas njoftoi se edhe 46-vjeçari kishte humbur jetën gjatë transportimit për në spital.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.