PDK e Aleanca mblidhen sërish në Kuvend, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës kanë nisur edhe muajin shtator duke u paraqitur në sallën e Kuvendit të Kosovës, me kërkesën e vetme që të formohen institucionet.
Ky veprim po bëhet edhe një ditë pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK arritën një marrëveshje për kandidat për president duke propozuar emrin e Bekim Sejdiut.
Ata po kërkojnë nga kryesuesi i seancës Avni Dehari që të vazhdojë seanca konstituive.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se me këto veprime të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit po suprimohet demokracia, vullneti politik, përfaqësimi politik dhe institucionet.
Hoxhaj tha se deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë ardhur çdo 48 orë në Kuvend për ta mbrojtur rendin kushtetues.
Sipas tij, çdo deputet betohet për ta mbrojtur Republikën e rendin kushtetues.
“Çdokush që e bën këtë betim e sot nuk është në sallë e shkel këtë betim. Ne që jemi në sallë e dimë vetëm një rend, atë kushtetues e jo atë të Albin Kurtit”- tha ai.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri pyeti se pse një ditë pas marrëveshjes mes dy partive akoma nuk është thirrur seanca konstituive.
“Ku janë sot? Nga dita e parë nuk ka qenë qëllimi që t’i jepen vendit institucionet e reja”- tha ai.
“Marrëveshja dypalëshe është dashur t’i detyrojë deputetët të mblidhen dhe kryesuesi ta thërrasë seancën konstituive”- tha Tahiri.
Më 27.08.2026, PDK ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka filluar më 06.08.2026 e më pas ka vazhduar edhe më 08.08.2026 për të mosvazhduar më.
PDK në vazhdimësi i ka dërguar letra edhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari për të vazhduar seancën por ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë pa pasur një marrëveshje politike mes partive për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Në aktgjykimin e 26.06.2025, gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.
Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.
Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.