Rasti ‘Capat - Sekiraqt’, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin dëshmisë së bashkëshortes së të vrarit Premtim Gashi
Shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Capat – Sekiraqt” për konfliktin e armatosur të 1 shtatorit të vitit 2024, ku kishte mbetur i vrarë Premtim Gashi, ka vazhduar edhe të të hënën më 31.08.2026 në Gjykatën e Prishtinës.
Të akuzuar në këtë rast janë: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Sali Sekiraqa, Fatos Abazi, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Erd Marevci.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale si: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, dhe amrëmbajtje pa leje.
Seanca e së hënës ka vazhduar me dëgjimin e palës së dëmtuar, dëshmitares D. A., bashkëshortja e tani të ndjerit Premtim Gashi.
Përfaqësuesi i dëshmitares, avokati Kadri Mjekiqi, para trupit gjykues e ka riparaqitur kërkesën me shkrim të datës 19.08.2026 që për dhënien e dëshmisë nga ana e dëshmitares, të largohen nga salla të akuzuarit Sali Sekiraqa, Robert Llumnica, dhe Fatos Abazi, si dhe mediat prezente.
Mjekiqi propozoi para trupit gjykues që nëse Gjykata ka mundësi që dëshmitares t`i sigurojë një ambient tjetër prej nga do mund ta japë deklaratën dhe jo në prani të të akuzuarve.
“Prej fillimit të shqyrtimit gjyqësor, pala është deklaru se si palë e dëmtuar nuk do të marrë pjesë në seancë, për shkak se e ka jashtëzakonsiht të vështirë të jet në një seancë ku flitet për vrasjen e bashkëshortit të saj.”- tha avokati Mjekiqi para trupit gjykues.
“Për shkak të gjendjes së rënduar emocionale e ka shumë të vështirë të dëshmoj në prani të të akuzuarve Sali, Fatos, dhe Robert, si dhe në prani të mediave.”- tha tutje Mjekiqi.
Prokuroria e pranoi këtë propozim, duke shtuar se gjendja e rëndë emocionale e dëshmitares ishte evidente edhe kur ajo e kishtë dhënë deklaratën e saj në Prokurori.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve Korab Gashi, Valdrin Ademi, dhe Erd Marevci nuk e kanë kundërshtuar këtë propozim.
Në anën tjetër, avokatët mbrojtës të Sali Sekiraqës, Robert Llumincës, dhe Fatos Abazit e kanë kundërshtuar propozimin e përfaqësuesit të dëshmitares.
Mbrojtja e të pandehurit Robert Llumnica, avokatja Kosovare Kelmendi ka thënë para trupit gjykues se në parim, për të mos krijuar praktikë të favorizimit të dëshmitarëve, e kundërshton këtë propozim. Edhe mbrojtja e të pandehurit Sali Sekiraqa, avokati Skender Musa e ka kundërshtuar këtë propozim duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm, sepse identiteti i dëshmitares vetëm se dihet.
Musa ka shtuar se ajo si e dëmtuar nuk është kanosur asnjëherë nga të akuzuarit e grupit të ashtuquajtur “Sekiraqa”, kështu që në asnjë formë nuk mund të kërkohet largimi i tyre nga salla, sepse ata duhet ta pëcjellin deklarimin e saj, dhe eventualisht të parashtrojnë pyetje ndaj saj.
Mbrojtja e të pandehurit Fatos Abazi, avokati Mentor Neziri, në kundërshtimin e tij ka thënë se i mbështet tërësisht deklaratën e avokatëve Kosovare Kelmendi dhe Skender Musa, si dhe ka shtuar se ligji e ka thënë shumë kjartë se në çfarë raste mund të përjashtohet publiku, dhe arsyetimi i dhënë nuk është i mjaftueshëm për aprovim nga trupi gjykues.
Neziri ka konsideruar se largimi i të pandehurve nga salla do i cënonte dhe do i kufizonte atyre të drejtat që i takojnë për të dëgjuar se çka po flitet për ta, të japin vërejtjet e tyre për deklarimin e dëshmitares, si dhe gjithashtu t`i parashtrojnë asaj pyetje.
Në këtë pikë trupi gjykues mori urdhër për masë të mbrojtjes, ashtuqë marrja e dëshmisë të bëhet nga një sallë tjetër në objektin e Gjykatës, dhe deklarata të mos bëhet publike nga mediat dhe gazetarët.
Pas përfundimit të dëshmisë nga e dëmtuara/dëshmitarja D.A., mbrojtja e të pandehurit Korab Gashi, avokati Kujtim Kërveshi ka parashtruar kërkesë para trupit gjykues që të obligohet Prokuroria që të u’a siguroj atyre video-incizimin e plotë, sipas memorandumit zyrtar të Policisë.
Kërveshi tha se nga kjo analizë e video-incizimit, në memorandumin e Policisë thuhet se Policia nga vendi i ngjarjes ka video-incizim 50 minutësh, minimumi edhe 10 minuta pas kryerjes së aktit të ekzekutimit të të ndjerit, 10 minutëshi që mbrojtja pretendon se nuk e kanë në dispozicion.
Kërveshi ka deklaruar se ky video-incizim është kusht pa të cilin nuk bën që të procedohet më tutje, dhe se sigurimi i këtij video-incizimi është obligim i pakundërshtueshëm për Prokurorinë.
Lidhur me këtë kërkesë të Kërveshit, prokurori Bashkim Zeqaj e ka konsideruar atë jo të drejtë dhe jo të ligjshme, duke thënë se të gjitha provat që janë propozuar në aktakuzë Prokuroria i ka dorëzuar në Gjykatë si dhe tek mbrojtësit e të akuzuarve, por gjithësesi i ka ftuar ata që të shkojnë në zyre për çkado që atyre u mungon.
Kërveshi si mbrojtësi i të padehurit Korab Gashi gjithashtu ka parashtruar para trupit gjykues kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të mbrojturit të tij.
Kërveshi tha se për të mbrojturin e tij, të pandehurin Korab Gashi tani bëhen dy vite të plota në paraburgim. Kërveshi ka shtuar se ndaj Korab Gashit nuk ka asnjë provë material që e inkriminon atë për dy veprat penale për të cilat akuohet.
Kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë ka parashtruar edhe mbrojtja e të pandehurit Valdrin Ademi, avokati Driton Musliu.
Musliu ka kërkuar që i mbrojturi i tij të transferohet nga Burgu i Prizrenit në Burgun e Prishtinës, si dhe ka kërkuar që masa e sigurisë të kaloj nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Edhe mbrojtja e të pandehurit Erd Marevci, avokati Visar Haxhibeqiri ka parashtruar kërkesë për heqjen e masës së paraburgimit.
Haxhibeqiri ka thënë se ndaj të mbrojturit të tij, të pandehurit Erd Marevci mungon kushti themelor i eksiztimit të dyshimit të bazuar, si në caktimin e masës ashtu edhe në vendimet për vazhdimin e saj. Haxhibeqiri ka konsideruar se nuk ka arsye ligjore që ndaj të mbrojturit të tij të vazhdohet masa e paraburgimit dhe ka propozuar që kjo masë të zëvendësohet me arrest shtëpiak dhe dorëzani që e cakton Gjykata.
Edhe mbrojtja e të pandehurit Robert Llumnica, avokate Kosovare Kelmendi, i është bashkëngjitur kërkesës për ndryshim të masës së sigurisë duke thënë se nëse eventualisht aprovohet ndonjë propozim për cilindo të pandehur për ndërprerje apo zëvendësim mase, kjo duhet të aplikohet edhe për të mbrojturin e saj.
Skender Musa në cilësinë e mbrojtjes së të pandehurit Sali Sekiraqa gjithashtu ka kërkuar nga trupi gjykues që ndaj të mbrojturit të tij mas a e sigurisë të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër.
Musa ka propozuar para trupit gjykues që masa e sigurisë të kaloj nga paraburgim në dorëzani, si dhe ka njoftuar trupin gjykues se familja e të pandehurit Sekiraqa është e gatshme të paguaj dorëzani në vlerë prej 5 mijë deri në 10 mijë euro menjëherë pas marrjes së vendimit.
Edhe Mentor Neziri në cilësinë e mbrojtjes së të pandehurit Fatos Abazi ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Neziri ka kërkuar që paraburgimi ndaj të mbrojturit të tij të zëvendësohet me çafrëdo mase tjetër alternative të cilën Gjykata do e konisderonte të arsyeshme.
Për këto kërkesa për ndryshimin e masës së paraburgimit, Prokuroria ka deklaruar se i refuzon në tërësi, dhe të pandehurit duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim. Prokurori Bashkim Zeqaj njëkohësisht ka kërkuar edhe nga turpi gjykues që këto kërkesa të refuzohen.
Për kërkesat për ndryshimin e masës së sigurisë, trupi gjykues njoftoi se do të vendos jashtë seancës.
Kjo seancë ishte seanca e dytë në këtë çështje penale.
Në seancën fillestare të datës 26.08.2026. të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe vrasje e rëndë në tentativë’, ndërsa të pandehurit Robert Lluminca dhe Fatos Abazi e pranuan fajësinë për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’.
Për rastin në fjalë fillimisht ka qenë i akuzuar edhe Vesel Bunjaku i cili ngarkohej me veprën penale të manipulimit më prova dhe armëmbajtjes pa leje.
Në seancën fillestare të datës 26.08.2026 Bunjaku e kishte pranuar fajësinë dhe ndaj tij ishte veçuar procedura penale.
Në seancën e datës 27.08.2026, Gjykata e kishte shpallur aktgjykim për kërë procedurë të veçuar dhe e kishte dënuar të pandehurin Bunjaku me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Çka thotë dosja e Prokurorisë për rastin në fjalë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit K.R., V.A., D.M., E.M., të grupit të njohur me nofkën “Capat’’, më datë 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, janë maskuar dhe janë pajisur me armë të gjata, revole si dhe stupca.
Aktakuza pretendon të njëjtit kanë marrë në përdorim tri vetura, Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit tjerë S.S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL., dhe R.LI.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë’’. Po ashtu, të njëjtit akuzohen edhe për veprën e armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë, thuhet se i pandehuri S.S., së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL., dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin Pajtim Gashi, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit tjerë.
Po ashtu i pandehuri V.B. akuzohet se ka kryer manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas hetimeve, aktakuza thotë se motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit Pajtim Gashi), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve.
Historiku i konfliktit
Dy familje, Sekiraqa e Gashi dyshohet se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024, në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen Aktash në Prishtinë.
Viktima i ishte kundërpëgjigjur sulmit me një armë të gjatë të tipit kallashnikov. I njëjti nga plagët e marra nga sulmi ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa vetëm disa orë më vonë trupi i tij ishte dërguar për obduksion.
Siç kishte konfirmuar asokohe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e një rasti paraprak, më konkretisht e një konflikti që ka ndodhur muaj më parë.
Në këtë konflikt që kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2024, Pajtim Gashi kishte mbetur i plagosur ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024.
KALLXO.com kishte arritur që të sigurojë aktakuzën në të cilën jepen detaje të plagosjes që ka ndodhur në muajin mars 2024. Edhe në atë kohë dyshimet ishin për përfshirjen e të njëjtave familje.
Shkumbin Sekiraqa, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për rastin e muajit mars 2024 është djali i Salih Sekiraqës. Ky i fundit është njëri nga personat e plagosur në gjuajtjet me armë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë më 01.09.2024.
Për Shkumbin Sekiraqën Prokuroria kishte kërkuar që t’i vazhdohej masa e paraburgimit deri sa është ngritur edhe aktakuza ndaj tij.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mua” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë. E me të njëjtat veprime Sekiraqa dyshohet se kreu edhe veprën tjetër penale, atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Kjo pasi që i njëjti kishte përdorur armën e zjarrit në një vend publik dhe kishte rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë që kishin qenë në rrugë.
Një tjetër vepër penale që i ngarkohet Sekiraqës nga Prokuroria e Prishtinës është ajo e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armës pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.
E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartëpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande ai më ka thënë se ‘je ka më këqyrë shtremtë’, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbajtje derën qelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifiku Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje.
