Ditar i një klase në Kosovë, Foto: KALLXO.com
Nesër nis viti i ri shkollor, por ditarët dhe materialet pedagogjike ende s’janë shpërndarë në shkolla
Ditarët për klasa dhe materialet pedagogjike ende nuk janë shpërndarë në shkolla të Kosovës, ndonëse viti i ri shkollor nis nesër, më 01.09.2026.
KALLXO.com merr vesh se Shtëpia Botuese “Pema” është licencuar nga Ministria e Arsimit për shtypjen e materialeve pedagogjike për vitin shkollor 2026/2027.
Gjashtë drejtorë komunalë të Arsimit e kanë konfirmuar për KALLXO.com se shkollat ende nuk janë furnizuar me ditarët e klasave dhe materialet pedagogjike të nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Si duket Ministria e Arsimit është vonuar në përzgjedhjen e kompanisë për botimin e ditarëve dhe materialit pedagogjik në shkolla. Kompania e përzgjedhur së fundmi nuk ka filluar ende shtypjen e ditarëve. Sa kam informacion, nuk ka në asnjë komunë, ditarë [të shkollave].”- ka deklaruar Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan, më 31.08.2026.
Hasani vlerëson se është etike që mësimdhënësi të shkojë në ditën e parë të mësimit në klasë me ditar në dorë, “jo me shku me duar në xhepa ose me ndonjë fletore çfarëdo qoftë.”
Ai tregoi se Ministria e Arsimit i ka njoftuar se cila shtëpi botuese është përzgjedhë për botimin e dokumentacionit pedagogjik.
“Duket jo serioze kur mësimdhënësi shkon në shkollë pa ditar qysh në ditën e parë [të mësimit]… Unë s’besoj që nesër do të kemi ditar edhe do të fillojmë ashtu si të mundemi, por është shumë joserioze.”- tha Hasani.
Ai tha se kishte pasur raste të rralla kur materiali pedagogjik ishte vonuar.
Edhe Sabri Xhigoli, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë, komunë që udhëhiqet nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka pohuar se nuk janë shpërndarë ditarët në shkollat e kësaj komune.
“Në pikëpamje të furnizimit me ditarë klase, po edhe me dokumentacion tjetër pedagogjik, ende konkrete nuk ka kurgjo.”- tha Xhigoli.
Drejtori Xhigoli tha se sipas zyrtarëve të DKA-së, të cilët janë të autorizuar të merren me çështjen e furnizimit të ditarëve dhe bazuar në informacionet e tyre që i kanë marrë nga Ministria e Arsimit, “sikur ende nuk janë gati.”
“Sa qëndron kjo nuk e di, po kështu më kanë thënë.”- shtoi Xhigoli.
Xhigoli tha se sot do të zhvillojë mbledhje me drejtorët e shkollave të Fushë Kosovës dhe për këtë situatë të mungesës së ditarëve të klasave e materialit pedagogjik tha “bashkarisht me ta duhet me improvizu diçka.”
Hysen Brahimaj, drejtor i Arsimit në Gjakovë tha se e kanë bërë me kohë kërkesën për furnizim me ditarë klase e material pedagogjik dhe se sipas informacioneve që kanë deri në fund të kësaj jave, nuk dalin nga shtypi.
“Nuk është pozita e mirë e mësimdhënësit të hynë pa ditar në klasë, mirëpo tash çka kemi me bë ne, është çështje e dikujt tjetër.”- tha Brahimaj.
“Në gusht jemi pajis me ditarë, normalisht vonesa kaq të mëdha s’kemi pas asnjëherë. Ose ka pas mungesë të një lloj ditari, shembull të shkollave profesionale ose diçka, por jo në tërësi.”- ka thënë Brahimaj për eksperiencën e furnizimit me këto materiale viteve të kaluara.
Edhe Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren, Kastriot Duraku, drejtor i Arsimit në Skenderaj dhe Arta Ajeti, drejtoreshë e Arsimit në Viti, e kanë konfirmuar mungesën e ditarëve dhe materialit pedagogjik në shkollat e këtyre komunave.
“Viti i parë që kam telashe me ditarë [të klasave] është ky.”- ka deklaruar drejtori Duraku.
“Është e vërtetë, janë me vonesë. Është ardh vendimi i Ministrisë për operatorë ekonomik, e vendos Ministria për ditarë dhe ende nuk janë shpërndarë ditarët.”- ka thënë drejtoresha Ajeti.
Ajeti ka treguar se çdo komunë e ka pasur të autorizuar nga një librari, e cila ka pasur ditarët dhe materialet pedagogjike për shkollat. Dhe prej aty janë blerë.
“Uroj që brenda javës të pajisemi edhe ne me ditarë nëpër shkolla. Jo mirë.”- shtoi ajo.
Gjatë ditës, më 31.08.2026, KALLXO.com e ka pyetur Shtëpinë Botuese “Pema” dhe Ministrinë e Arsimit për këtë rast, por nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.
Në anën tjetër, ky është viti i katërt që Ministria e Arsimit po e subvencionon blerjen e teksteve shkollore.
Ministria e Arsimit ka thënë se nga ky vit shkollor ka një operator të ri për shtypjen e materialit pedagogjik dhe ka çmime ndjeshëm më të ulëta se deri tani.
Sipas Ministrisë, ditarët do të shpërndahen në shkolla sa më parë.
“Operatori i përzgjedhur na ka njoftuar se për shkaqe operative ka disa vonesa, por edhe është zotuar se po angazhohet maksimalisht që shpërndarja e ditarëve dhe dokumentacioneve tjera shkollore do të nisë sa më parë. Shpërndarja e dokumentacionit në shkolla realizohet në bashkëpunim ndërmjet operatorit dhe drejtorive komunale të arsimit. Ministria po e monitoron nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë komunikimin me operatorin dhe DKA-të deri në sigurimin e fillimit të shpërndarjen së tyre.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë më 01.09.2026.
Shënim: Artikulli është edituar me ç’rast është shtuar përgjigjja e Ministrisë së Arsimit, të cilën e ka dërguar më 01.09.2026. Koha e editimit: 01.09.2026, ora 19:50.