Egzona Morina

Universiteti i Harvardit i dha çmim, neuroshkencëtarja: Për me ju tregu njerëzve që jam e Kosovës, atë veç sa nuk e kam tatuazh në ballë

Neuroshkencëtarja shqiptare Egzona Morina mori çmim nga Universiteti i Harvardit. Ajo ka doktoruar në Londër dhe ka një fondacion në Kosovë.

Nga fusha e tenisit ku dikur dha shumë si lojtare, Egzona Morina, si refugjate në Belgjikë, kishte fituar bursë për të studiuar në Amerikë 17 vjet më parë, më 2009.

Sot, ajo është neuroshkencëtare e doktoruar dhe së fundmi Universiteti i Harvardit i ka dhënë çmim për mësimdhënie të shkëlqyeshme.

“Sa për me ju tregu njerëzve që jam e Kosovës, atë veç sa nuk e kam tatuazhin në ballë se përndryshe është sendi i parë që ju tregoj njerëzve. Në fakt në laboratorin në Neë York ku kam punuar, kur kam shku për intervistë, ai profesori që më intervistoi, i tregova që jam e Kosovës, shqiptare, më tha – unë në fakt i kam edhe dy shqiptare këtu në laborator e tani unë i thashë: mos fol ma shumë, s’po më intereson çfarë po bëni këtu në laborator, veç më pranoni.” – thotë Morina në një intervistë për KALLXO.com.

Dashuria dhe dedikimi i saj për neuroshkencën erdhën pasi i përfundoi studimet në Psikologji në New Jersey më 2013.  Një person teksa fliste për neuroshkencën dhe ajo ishte aty për ta dëgjuar, u bë arsye që Egzona ta zgjedhë këtë shkencë që studion trurin. 

“Po unë në fakt në fillim e kam pasë dëshirën me qenë mjeke, por tani vendosa njëherë me hy me kry fakultetin psikologji. Po e kisha një farë ndjenje që gjithë diçka mungonte. Pa hiri e takova dikë që ja nisi me fol për neuroshkencë. Unë për vete nuk e disha që ekziston si lëndë. Po kur e dëgjova këtë person t’u folë, thashë me vete – kjo po më duket tema që më kish pëlqy shumë.” – tregon Morina.

Studimet master i përfundoi në Universitetin e Kolumbisë, në New York, më 2015. Kjo nuk e kishte penguar të punonte edhe në laboratorin në New York. 

Sfidat u shtuan kur aplikoi për doktoraturë. Atë kohë e refuzuan pothuajse gjashtë universitete.

“Kur kam aplikuar për herë të parë për doktoraturë kam aplikuar ndoshta në pesë, gjashtë universitete këtu krejt këto Harvard e MIT, dhe ndoshta brenda një jave, një javë e gjysmë më kanë refuzuar krejt edhe ajo normal ka qenë kështu relative. Në atë kohë kur je person si me thënë ambicioz edhe je e re, ndoshta të duket fundi i botës.” – thotë Morina.

“Unë jam mësuar gjatë jetës që refuzimi është thjesht sukses me vonesë. Kështu kam vendos me marrë edhe ashtu më ka shkuar deri tash.” – shton ajo.

Pasi publikoi disa punime shkencore në neuroshkencë, më 2017, u pranua të doktoronte në Londër në “University College of London”. Atje i përfundoi studimet më 2023.

Një nga sukeset e saj që e shënoi gjatë doktoraturës ishte kur pati rastin që ta prezantojë një projekt në kategorinë e fiziologjisë para kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe e fitojë atë.

Neuroshkencëtarja shqiptare ka një fondacion në Kosovë përmes së cilit i mbështet të rinjtë që studiojnë shkencë. Ky është ‘Fondacioni Xheladin dhe Xhufë Morina’.

“Në fakt përmes Fondacionit e kam hapur si me thënë një pjesë shkencore… Vetëm fakti që fondacionin e kam filluar në 2018-në edhe është domethënë organizatë jo-fitimprurëse edhe në Amerikë edhe në Angli, edhe pikërisht që ishte organizata e tillë këtu në Amerikë unë kisha të drejtë me apliku për fonde private nëpërmes fondacionit. Edhe për fat të mirë mora fonde për këtë vitin e fundit me bë eksperimente ose hulumtime shkencore edhe në ndërkohë jepsha mësim në Harvard.” – ka thënë Morina.

Për çmimin që e ka fituar nga Universiteti i Harvardit këtë vit për mësimdhënie të shkëlqyeshme në fakt nuk e kishte ditur se ekzistonte si çmim.

“Në fakt nuk e kam ditë që ekziston ky çmim kështu po jam shumë falenderuese për këtë nder. Ka qenë një klasë që i kam pasur vetëm 10 studenta. Ka qenë klasë shumë e vogël se e kishin për detyrë me shkrujt një ese rreth 20 faqe. Ishte për m’i mësu studentët si me shkrujt artikuj shkencor. Edhe këta ishin student të Harvardit të vitit të dytë. Besoj që çfarë ju ka ndihmuar studentëve më së shumti është fakti që jam sjellë me ta në një mënyrë që jemi kolegë në laborator.” – tha Morina.

Duke qenë studiuese me eksperiencë të gjatë në laborator, Morina ka shpjeguar për KALLXO.com disa procese të trurit të njeriut, si: harresa, plakja dhe aktiviteti elektrik i tij.

Pse harrojnë njerëzit?

Si një proces që jo rrallë herë u ndodh njerëzve dhe i karakterizon, harresa, ndonjëherë del të jetë problematike. 

Po se çfarë ndodh te truri i njeriut kur harron, ka treguar neuroshkencëtarja Egzona Morina.

Sipas Morinës, kur njeriu mundohet ta mbajë mend një fakt, neurone të caktuar aktivizohen dhe japin sinjale njëra-tjetrës.

“Neuronet që japin sinjale ose luftojnë bashkë rrinë bashkë.” – thotë Morina, teksa shpjegon se kur njeriu e përsërit atë fakt, vazhdon sinjalizimi i neuroneve të caktuara.

Morina sqaron se në rastin kur nuk ka sinjale mes neuroneve të njëjta të cilat kanë sinjalizuar në fillim gjatë mësimit të një fakti, pra kur nuk e përsërit atë fakt që ta memorizosh, truri e harron.

Me këtë rast ajo ka treguar se gjatë doktoraturës, ka zhvilluar eksperimente me minj, kurse në eksperimentin e fundit që e ka bërë këtë vit ka qenë me njerëz. 

Ajo tha se e kanë matur aktivitetin elektrik të njeriut derisa plotëson disa teste kognitive dhe dëgjon zhurmë gjatë asaj kohe.

Pra, e kanë shfrytëzuar një teknologji, një lloj kapele që ka pasur sensorë, dhe ia kanë vendosur në kokë disa pjesëmarrësve.

“Qëllimi i eksperimentit ishte që jo vetëm t’i bëjnë këto teste, por e kishin për detyrë t’i bënin testet sa më mirë. Ndërkohë që e dëgjonin, një zhurmë të veturave dhe tani me shiku se si po reagojnë kur janë në atë moment duke e dëgju zhurmën edhe si po reagojnë kur nuk ka zhurmë. Edhe rasti i tretë ke që qysh reagojnë kur dëgjojnë zhurmë të natyrës, domethënë e dëgjon ujin, gjethet ndoshta duke lëviz.” – ka thënë Morina.

Përmes këtij eksperimenti ajo thotë se donin ta kuptonin se çfarë efekti ka ambienti te truri.

“Kur e matshim aktivitetin e trunit gjatë fazës kur nuk kishte zhurmë, testet dilnin afër 100%. Kur e kqyrshim aktivitetin e trurit gjatë rastit kur kishte zhurmë d.m.th. me vetura, aty e shihinim që prapë testet ishin afër 100%. Pjesëmarrësit prapë mundeshin t’i bënin testet.” – thotë ajo.

Si ndikon mosha te truri i njeriut?

Neuroshkencëtarja Egzona Morina tha se po mundohet ta hulumtojë edhe ndikimin e moshës tek truri i njeriut.

“Po mundohem me hulumtu se, në një farë mënyre a po plaket truri vetëm për faktin që po plaket njeriu në bazë të moshës apo, po plaket ndoshta më herët shkaku i ambientit? A po plaket më herët për shkak se dietën nuk e ka të mirë apo plaket më herët se ndoshta nuk bën ushtrime fizike edhe më shumë? Nuk është vetëm një arsyetim, por ka shumë faktorë, të gjitha këto bashkë e krijojnë një ambient për trurin pak më të mirë ose pak më të keq.” – ka thënë Morina.

“Kur plakemi ja fillojnë…, neuronet nuk sinjalojnë mes veti, humb ajo lidhje. Edhe tash kur fillon me humb lidhja këtu, një lidhje aty, ti për shembull nëse ja fillon me u plak nuk mëson gjëra të reja, ndoshta nuk lexon shumë libra sa ke lexu më përpara, nuk shkon me pa gjëra të reja, tani truri nuk merr informata të reja dhe tani aty nuk ndodh që thonë prapë ky elasticiteti i neuroneve po më shumë ja nisin me fillu me qenë pasive, me u zhduk.” – shpjegon ajo.

“Një fondacion për t’i nderuar prindërit”

‘Fondacioni Xheladin dhe Xhufë Morina’ është në emër të prindërve të Egzona Morinës.  

“Ishte një mënyrë për mua për t’i nderuar dhe shpresoj që mundem me vazhdu m’i nderu në këtë mënyrë.” – thotë ajo.

Me këtë Fondacion, Morina tregon se organizojnë një kamp për një kohë të caktuar në Kosovë, ku ligjërojnë dhe mbajnë aktivitete për neuroshkencën me studentët kosovarë.

“Organizojmë Brain Camp për çdo vit prej 2018-s. Kemi dhënë edhe bursa për studentë kosovarë që kanë dashur të bëjnë programe shkencore. Kemi organizuar dhe konferenca shkencore… Kam krijuar edhe një libër që është për fëmijë, e ka titullin “Brainbook” domethënë ‘Libri i trurit’.” – ka thënë Morina.

Ligjëruesit e kampit që organizon fondacioni zakonisht janë doktorë të neuroshkencës të huaj, të cilët sipas Morinës kanë përshtypje të mira për Kosovën.

“Ju pëlqen Kosova, ju pëlqejnë njerëzit. Për studenta të gjithë thonë – shumë janë të interesuar, shumë të angazhuar, kanë shumë kapacitet. Pikërisht kjo mua më ka motivuar në fillim se e kam e kam vërejtur edhe vetë këtë gjë.” – ka treguar Morina.

“Kam jep mësim në Harvard dhe në vende tjera, nuk kanë aspak dallim prej studentëve këtu që janë. Po s’kanë absolutisht, s’kanë kurrfarë dallimi. Nuk ka diçka ndryshe. Nuk është këtu që as që janë më punëtorë as që janë më të mençëm.” – thekson ajo.