Pamje e Ferizajt. Foto: Kallxo.com
Opozita thërret seancë të jashtëzakonshme pas raportit të ZKA-së për ndërtimet e larta në Ferizaj
19 anëtarë opozitarë e të pavarur ia kanë dorëzuar të hënën (31.08.2026) kryesuesit të Kuvendit Komunal të Ferizajt kërkesën për seancë të jashtëzakonshme ku kryetari Agim Aliu, Drejtoria e Urbanizmit dhe Inspektorati Komunal ftohen t’u raportojnë kuvendarëve për gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që vlerëson se Komuna e Ferizajt kishte lejuar tejkalimin e lejeve ndërtimore.
Në raportin “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Ferizaj”, të publikuar të premten (23.08.2026) auditorët e ZKA-së shkruajnë se dhënia e lejeve ndërtimore nuk është menaxhuar në mënyrë efikase nga Komuna e Ferizajt për shkak të mungesës së Hartës Zonale, moszbatimit konsistent të planeve rregulluese, mungesës së një procesi të standardizuar për shqyrtimin e aplikacioneve dhe kontrollit të pamjaftueshëm para lëshimit të lejeve. “Si pasojë, aplikimet janë trajtuar me kritere të ndryshme, duke lejuar tejkalim të koeficientit të ndërtimit, trajtim jo të barabartë të investitorëve dhe lëshim të lejeve pa dokumentacion teknik të plotë”, shkruhet ndër të tjera.
Kryetari Aliu e ka njoftuar ZKA-në nëpërmjet “letrës së konfirmimit” të 19 gushtit 2026 se e ka pranuar draftin e raportit. Në pikën dy të letrës, ai ka shkruar: “Pajtohem pjesërisht me gjetjet dhe rekomandimet dhe ju kemi përcjellë komentet për përmbajtjen e raportit”.
Në kërkesën zyrtare për seancë të jashtëzakonshme të opozitës – dorëzuar pas seancës së rregullt të së hënës (31.08.2026) – janë përcaktuar tri pika të rendit të ditës.
“Kemi kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për ta diskutuar raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili ka ngritur shqetësime lidhur me lejet e dhëna gjatë viteve 2021-2025”, ka thënë Visar Azemi, shef i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal dhe njëherësh kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Ai ka theksuar për Kallxo.com se auditorët kanë dokumentuar “gjetje bukur skandaloze, që ne duam t’i trajtojmë këtu në Kuvendin Komunal me kryetarin e Komunës, me Drejtorinë e Urbanizmit, me Inspektoratin për të gjitha të gjeturat që kanë dalë nga ky raport”.
Brahim Osmani, shef i grupit parlamentar të LVV-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, ka thënë për Kallxo.com se përgjegjësia për gjetjet e raportit bie mbi kryetarin Aliu dhe drejtorin Bytyçi, sipas tij, “për keqpërdorimin e detyrës zyrtare sipas raportit të auditimit”.
Auditorët kanë vlerësuar se Komuna e Ferizajt ka lejuar ndërtimet e larta pa dokumente të planifikimit hapësinor – “lejet për ndërtim janë dhënë bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, pa Hartë Zonale të aprovuar”.
Në përgjigjen e Komunës së Ferizajt në raport, qeveria lokale nuk pajtohet me gjetjet e ZKA-së, pasi, sipas saj, “baza ligjore është e qartë në lëshimin e lejeve ndërtimore dhe është respektuar 100% nga Komuna e Ferizajt, [dhe] në mungesë të dokumenteve të planifikimit janë lëshuar lejet në bazë të ligjit të ndërtimit”.
Xhavit Zariqi, kryesues i Kuvendit Komunal të Ferizajt, ka konfirmuar për Kallxo.com se ka pranuar kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme. “Besoj se kah dita e hënë e javës së ardhshme mbahet seanca, sepse duhet të kalojnë së paku tre ditë nga dorëzimi i kërkesës”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit.
Juristi Shefki Berisha, që deri vonë ka qenë pjesë e shoqërisë civile në Ferizaj, ka thënë se sipas nenit 11, paragrafit 1, të Rregullores së Punës së Kuvendit të Komunës së Ferizajt, për të thirrur mbledhje të jashtëzakonshme, duhen nënshkrimet e së paku një të tretës së anëtarëve të Kuvendit Komunal.
“Duke marrë për bazë faktin se Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka 41 anëtarë, 1/3 e anëtarëve është 13.67, që në numër të plotë nënkupton 14 anëtarë”, ka thënë ai, duke shtuar se mbledhje të jashtëzakonshme mund të thërrasë edhe Kryetari i Komunës.
Në reagimin e sotëm (31.08.2026) të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj thuhet se seanca e jashtëzakonshme është thirrur ndër të tjera që “qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe t’i ndjekin veprimet e opozitës së bashkuar kundër krimit e nepotizmit të ushtruar nga pushteti lokal dhe të mos bien pre e propagandimeve të Agim Aliut”.