Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjes me Forcë: Çdo familje meriton të dijë fatin e familjarit të tij
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë, (30.08.2026), Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur kanë organizuar diskutim publik.
Sipas Institutit për Krimet e Kryera në Kosovë janë edhe 1576 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë tha se çdo familje meriton të dijë fatin e familjarit të tij.
“Për familjarët, dëshira juaj nuk skadon me kohën. Kalimi i kohës nuk e zbeh dëshirën për të ditur se ku janë ata (familjarët). Ne besojmë se çdo familje pavarësisht nacionalitetit meriton të dijë fatin e familjarit të tij. Bashkimi juaj bënë fuqinë”- tha ai.
Fuchs e konsideroi hap tejet të rëndësishëm zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok. Ai tha se çështje të tilla nuk duhet të politizohen, por që kërkohen marrëveshje politike për zbardhjen dhe zbulimin e këtyre rasteve.
Florim Elshani nga Drejtoria për Krime Lufte në Policinë e Kosovës tha se janë duke pritur rezultatet e ADN-së për gjetjet kockore në Zubin Potok.
“Gjatë këtij viti kemi pasur angazhim të ngjeshur duke përfshirë edhe këtë të fundit në Kalludër të Zubin Potokut. Kemi has në tri lokacione që kemi hasur në mbetje mortore. Kemi tërhequr këto mbetje dhe jemi në pritje të rezultateve. Kemi arsye me besu që janë mbetjet e grupit të intelektualëve. Përputhet numri i të zhdukurve me gjetjet që janë bërë. Kemi arsye të besojmë”- tha Elshani.
Boguslaw Gertruda, udhëheqës në detyrë i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë tha ndër të tjera se dokumentimi i krimeve të luftës dhe mbajtja përgjegjës i institucioneve shtetërore rreth këtyre proceseve është shumë i rëndësishëm.
Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore duke folur për përkrahjen dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet relevante duke përfshirë dhe EULEX-in në rastin e zbulimit të varrezave në Kalludër, tha se tani kanë barrë të madhe për identifikimin e mbetjeve kockore.
Ai tha se procesi i identifikimit të mbetjeve mund të shkoj nga 2 deri në 6 muaj, varësisht nga rezultatet.
Ibrahim Makolli nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur tha se jo çdo herë familjet kanë pasur të gjitha informacionet lidhur me procesin e gjetjes së trupit të tyre.
“Jo çdo herë familjet kanë pasur të gjitha informacionet e procesit. Jo rrallëherë familjarët kanë shprehur mllefin e tyre në raport me veprimet apo mos veprimet e institucioneve”- tha Makolli.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se është tejet me rëndësi bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë në çështjen e personave të pagjetur, bashkëpunim ky që Blakaj tha se nuk ekziston.
“Është me rëndësi bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi pa para dy viteve një dakordim për çështjen e personave të zhdukur por deri më tani nuk kemi pa ndonjë rezultat konkret. Familjarët kanë të drejt jo vetëm që t’i marrin trupat e familjarëve por edhe të dijë gjithçka mbi procesin dhe të dinë se kush i ka kryer ato krime”- tha ndër të tjera Blakaj.
Pas katër javësh gërmime në Kalludër dhe Jabukë, janë identifikuar tri varreza masive ku dyshohet se janë varrosur 23 persona të zhdukur gjatë luftës, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Mbetjet e të paktën 10 personave janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë.
Në Kalludër të Zubin-Potokut është identifikuar lokacioni i parë i një varri masiv, ku janë gjetur mbetjet mortore të të paktën 13 personave, të cilët dyshohet se janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Procesi i gërmimeve në dy fshatrat e Zubin-Potokut ka nisur më 28.07.2026 dhe ka zgjatur katër javë.Lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona nën dyshimin për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.
Familjarë të të zhdukurve vizitojnë vendin ku u gjetën eshtrat e 23 personave në Zubin Potok