Foto: KALLXO.com

Kurti para takimit të radhës me Abdixhikun: Urojmë të arrijmë marrëveshje

Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë duke zhvilluar takimin e radhës, sot më 31.08.2026, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Pak para takimit, Kurti u deklarua shkurtimisht para gazetarëve se pret marrëveshje me LDK-në.

“E kemi vullnetin e mirë. I kemi mundësit reale. Tash po ecim përpara, siç po e shihni, dhe urojmë që të arrijmë në marrëveshje.” – tha ai teksa hyri në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Kurti e Abdixhiku u takuan herën e fundit të shtunën, më 29.08.2026, por pa ndonjë rezultat konkret.

Përfundon takimi i tretë me Abdixhikun, Kurti: Kur kemi rezultate nga ana jonë, do të ketë lajme për juve

Pas takimit, Kurti u pyet nga gazetarët nëse ka pasur emër të propozuar për president.

“Kur kemi rezultate nga ana jonë, do të ketë lajme për juve.”- deklaroi shkurtimisht Kurti.

Kurse, në takimin e datës 28.08.2026, Kurti deklaroi se do të njoftonin me kohë për takimin e radhës dhe se shpreson për marrëveshje me LDK-në.

Dy herë brenda 10 ditësh janë takuar Albin Kurti i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së për të gjetur një president të ri për vendin.

Më 26.08.2026 u takuan për herë të dytë, me ç’rast pas takimit kanë thënë se kanë folur për emra por pa përmendur se kush janë kandidatët potencialë.

Vendi kishte shkuar në zgjedhjet e 07.06.2026 për shkak të mosarritjes së zgjedhjes së një presidenti të ri dhe sërish rrezikon të shkojë zgjedhje të reja në rast se nuk zgjedhet presidenti.

Ndonëse takimi i datës 26.08.2026 përfundoi pa një marrëveshje, të dy (Kurti dhe Abdixhiku) deklaruan para mediave se nuk mund të flasin për emrat që u përmendën në takim pasi që kandidatët potencialë për president nuk janë kontaktuar ende.

Kurti i quajti negociatat “mjaft të vështira” dhe se do të vazhdojnë të mbajnë takime me LDK-në.

“Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh, është çështje javësh, e do të donim të ishte çështje ditësh. Komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë.” – deklaroi Kurti pas takimit.

Abdixhiku në anën tjetër ka deklaruar se emrat e përmendur ishin në vijë me parimet e dakorduara për pozitën e presidentit.

“Nuk mund të diskutoj për emra konkret në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Po përpiqemi meqenëse jemi të interesuar t’i japim stabilitet Kosovës” – deklaroi Abdixhiku.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së dhe AAK-së, çdo ditë dalin para Qeverisë duke kërkuar nga Albin Kurti që të kthehet në Kuvend dhe ta mundësojë konstituimin e këtij institucioni.

Krahas kësaj, ata mblidhen në sallën e Kuvendit në çdo 48 orë, duke ia përkujtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se ndërperja e një seance të tillë nuk mund të zgjas më shumë se dy ditë. Ndaj Deharit, deputetët e PDK-së, së fundmi kanë iniciuar edhe kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës.