Fshati Restelicë në Gorë
Akuzohet se rrahu për vdekje nënën e tij në Restelicë, Prokuroria ngre aktakuzë për “vrasje të rëndë”
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., i cili akuzohet se në janar të këtij viti e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, T.B., në fshatin Restelicë të Dragashit, duke i shkaktuar lëndime që rezultuan fatale për viktimën.
Sipas aktakuzës së ngritur, rasti ka ndodhur më 20.01.2026, pas një fjalosjeje mes djalit dhe nënës së tij.
Prokuroria pretendon se F.B. e ka sulmuar fizikisht nënën e tij duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.
“Si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara, viktima ka pësuar shok traumatik dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, pas ngjarjes i pandehuri e ka vendosur trupin e viktimës në divan dhe e ka mbuluar me batanije.
Trupi i viktimës, sipas Prokurorisë, është zbuluar më vonë nga të afërmit, të cilët kishin shkuar në shtëpi pasi ishin shqetësuar për gjendjen e saj.
“Ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik i kryer në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se, në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia e të pandehurit për t’i kuptuar veprimet e tij dhe për t’i kontrolluar ato ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit.
F.B. po akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”. Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Kallxo.com për këtë rast kishte raportuar nga vendi i ngjarjes.