Shmangen mbivendosjet ligjore, Ministria e Brendshme shfuqizon urdhrin e vitit 2015 për rregullat e mbrojtjes nga zjarri në ndërtesat e banimit

1 Gusht 2026, 20:25Kronika TEMA
Shmangen mbivendosjet ligjore, Ministria e Brendshme shfuqizon urdhrin e vitit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur Urdhrin, përmes të cilit shfuqizohet zyrtarisht Urdhri nr. 424 i vitit 2015 “Për miratimin e rregullave teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin në ndërtimet e destinuara për banim”. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.

Sipas dokumentit zyrtar, ky akt ndërmerret në kuadër të rishikimit të legjislacionit nënligjor me qëllim shmangien e mbivendosjes së normave teknike dhe garantimin e sigurisë juridike.

Në arsyetimin e urdhrit sqarohet se rregullat teknike për ndërtesat e banimit janë tashmë të përfshira në kuadrin normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave ku thuhet se “meqenëse rregullat për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin në ndërtimet e destinuara për banim të miratuara me urdhrin nr. 424, datë 24.7.2015, janë përfshirë dhe miratuar me vendimin nr. 626, datë 15.7.2015, të Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e normativave të projektimit të banesave'”

Për më tepër, akti bën me dije se ligji bazë mbi të cilin mbështetej urdhri i vjetër (ligji nr. 8766/2001) është shfuqizuar dhe zëvendësuar prej kohësh nga ligji nr. 152/2015 “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”.

Pika 1 e Urdhrit nr. 156 përcakton qartë objektivin e këtij hapi administrative “me qëllim shmangien e mbivendosjes së akteve nënligjore dhe garantimin e qartësisë, koherencës dhe sigurisë juridike të legjislacionit në fuqi.”

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen drejtpërdrejt Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MNZSH), si dhe të gjitha drejtoritë e sektorët përkatës të shërbimit zjarrfikës në nivel vendor në të gjithë territorin e vendit.

Lini një Përgjigje