Muli vrapon në Poliçan pas djegies së teserave të PS

1 Gusht 2026, 19:14Antena TEMA

Një revoltë e madhe ka shpërthyer mes kryetarëve të bashkive socialiste që do të shkrihen dhe qeverisë shqiptare.

Kryebashkiakët në ikje kanë mobilizuar popullin të djegë teserat e PS-së në çdo qytet. I pari e nisi Poliçani.

Muli u gëzua shumë nga ky zhvillim. Sapo pa njerëzit që po digjnin teserat e PS-së, u përpoq të gjente kush ishte kryetar partie në Poliçan, për ta nisur urgjent në takim me qytetarët.

Pasi u mundua ca, zbuloi se ka pasur një kryetar partie para dy vjetësh, por paska ikur jashtë.

I deleguari mbërriti në Poliçan një ditë pas djegies së teserave dhe u përpoq të testonte reagimin e njerëzve.

Atëherë vendosi të dërgojë një të deleguar të ri.

Të parin që takoi e pyeti:

– A ishe dje në protestë?

– Isha, o byrazer, isha, – i tha. – Na e hoqën kryetarinë. Bashkisë na kanë vënë një grua tani.

– Po ku e di ti që do ta keni grua? – i tha i dërguari i Mulit.

– Po ashtu do ta kemi, o byrazer, se do na bashkojnë me një bashki që e ka grua kryetaren.

– Por PD do të vërë një kandidat burrë, – i tha i dërguari i Mulit, – dhe ne do ta mundim atë gruan.

– Po PD të vërë kë të dojë, – i tha qytetari, – por ajo gruaja do fitojë, se është e socialistëve.

– Po a i dogjët teserat ju? – tha i dërguari i Mulit.

– I dogjëm, o byrazer, por kur votohet, votohet me kartë identiteti. Nuk ka problem që s'ke teser.

– Po ju kot i dogjët ato? – i tha i dërguari i Mulit.

– Si, o kot? Jemi shumë të revoltuar. Në shenjë zemërimi i dogjëm.

– Po pse do votoni prapë PS pastaj?

– Ta dijë partia që nuk ia kemi me hile, – i tha qytetari. – Se kanë hapur llafe sikur ne jemi armiq të partisë. Ne jemi të mërzitur, po jo armiq. Dhe do ta tregojmë veten.

Lini një Përgjigje