Takim Letrar mes Klubeve të Librit nga Tirana dhe Gjakova

1 Gusht 2026, 15:42Kulturë TEMA
Takim Letrar mes Klubeve të Librit nga Tirana dhe Gjakova

Shkruan: Blerim Valla

Takimi Letrar me Klubet e Librit nga Tirana dhe Gjakova u organizua si pjesë e edicionit të 3 – të të festivalit kulturor mbarëshqiptar “Ditët e Shqiptarit”. Ky aktivitet letrar u mbajt në mjediset e Muzeut Etnografik të Gjakovës dhe u organizua nga Fondacioni për Gjakovën në kuadër të agjendës kulturore të festivalit. 

Takimi shërbeu si një platformë për bashkëbisedim, lexime poezish, recitime artistike dhe reflektime mbi letërsinë, historinë dhe identitetin e përbashkët shqiptar. 

Me këtë rast u diskutua edhe u bë një bashkëbisedim mes të pranishmëve rreth librit “E shkuar e pakryer” të autorit Ermal Hasimja dhe romanit “Një skenë filmi” të Roland Spahiut. 

Ky takim letrar ishte vetëm një nga aktivitetet e shumta të festivalit. Përgjatë kësaj periudhe, qyteti i Gjakovës është kthyer në një urë lidhëse të kulturës përmes koncerteve, paneleve të diskutimit dhe aktiviteteve të tjera të shumta kulturo – artistike. 

Takimi Letrar me Klubet e Librit nga Tirana dhe Gjakova rrodhi si një bashkëbisedim i ngrohtë dhe i gjallë kulturor, i cili gërshetoi vlerat letrare, historike dhe identitare. Takimi ishte në formën e një tryeze të hapur diskutimesh dhe lexime poezish nga disa poetë të njohur të Gjakovës dhe disa poetë të ardhur nga Tirana, ku anëtarët e dy klubeve të librit ndanë analizat e tyre në mjedisin frymëzues të Muzeut Etnografik të Gjakovës. 

Më pas u zhvillua një diskutim dhe lexim të disa pjesëve nga jeta dhe veprat e dy shkrimtarëve më të njohur gjakovar Ali Podrimjes dhe Teki Dërvishit. Meqë rast referuesit dhe përfaqësuesit e dy klubeve të librit u ndalën te figurat e këtyre dy autorëve të mëdhenj gjakovarë. Ata diskutuan mbi ndikimin e jashtëzakonshëm të poezisë moderne të Ali Podrimjes dhe natyrës kryengritëse të veprave të Teki Dërvishit. Gjatë pjesës së recitaleve artistike, u lexuan disa nga poezitë më të njohura të A. Podrimjes e të T. Dërvishit duke rikthyer fuqishëm vargjet e tyre dedikuar lirisë dhe atdheut, Gjakovës e shqiptarisë. 

Ndërsa për romanin “E shkuar e pakryer ” të Ermal Hasimjes pjesëmarrësit zhvilluan një bisedë interaktive me autorin e pranishëm mbi këtë vepër, duke u fokusuar te tematika e reflektimit mbi të kaluarën historike dhe kujtesën kolektive shqiptare. Diskutimi u përqendrua te mënyra se si ngjarjet e papërfunduara të historisë ndikojnë në identitetin tonë të sotëm. 

E për romanin “Një skenë filmi” (Roland Spahiu) u fol rreth strukturës narrative dhe stilit të autorit. Anëtarët e klubeve të librit shkëmbyen mendime mbi elementet kinematografike që mbart romani dhe mënyrën se si ai ka kapërcyer kufijtë tradicionalë të tregimit modern. 

Ky takim i letërsisë dhe kujtesës mblodhi në Muzeun Etnografik të Gjakovës, shumë shkrimtarë e poetë të njohur nga Kosova e Shqipëria, të cilët me krijimet e tyre edhe një herë e vërtetuan se identiteti i një kombi ndërtohet mbi librin dhe kujtesën. Përmes veprave të autorëve tanë, poezive, diskutimeve dhe takimit me Klube të Librit, shkrimtarë e krijues e nga Shqipëria e Kosova nderuan ata që me penën e tyre i dhanë zë kohës, lirisë dhe shpirtit shqiptar fikur dhe sot. Duke kujtuar shkrimtarët e njohur gjakovarë si Ali Podrimja e Teki Dërvishi dhe dy shkrimtarë të rinj si Ermal Hasimja e Roland Spahiu.

Me këtë rast, duhet cekur se përmes vargjeve të saja poetja Vlora Ademi e kujtoi edhe një grua e cila ka dhënë kontribut në jetën kulturore, artistike dhe ndërtimin e identitetit letrar të qytetit të Gjakovës, poeteshën Fakete Rexha e cila jeton e vepron në Francë. 

Kurse aktorët e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, Ramazan Bërkani dhe Albulena Kryeziu – Bokshi deklamuan vargje të poetit Besim Bokshi dhe poeteshës Tixhe Rexha – Gërçari./Epiqendra.com/

Lini një Përgjigje