Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat pranë Radostinit, në Fier, mesditën e kësaj të premteje, ndërsa flakët janë drejtuar me shpejtësi drejt zonës së liqenit të Levanit, duke krijuar një situatë serioze për disa biznese dhe banesa në këtë zonë.
Flakët janë afruar pranë disa lokaleve, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet shumë pranë tyre, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve drejt ambienteve të shërbimit.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë te objektet.
Sipas pronarëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme, pasi terreni e vështirëson ndërhyrjen tokësore dhe zjarri po avancon me shpejtësi.














