Dy efektivë të Policisë Ushtarake janë pezulluar nga detyra pas përfshirjes së tyre në ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në hotelin “Regina” në Vlorë, ku u regjistrua një përplasje mes dy biznesmenëve, Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila përmes një reagimi të ministrit Ermal Nufi ka deklaruar se dy efektivët nuk kanë qenë në shërbim në momentin e ngjarjes.
Ende nuk është bërë e qartë nëse efektivët kanë qenë pjesë e personave të armatosur që rrethuan biznesmenin Vasil Bedinaj.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.
Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.
Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.
Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese.
Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.
Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.
Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.














