Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas bllokimit të një numri të madh llogarish në Instagram, të cilat, sipas tij, kishin promovuar protestën qytetare dhe kritikat ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Berisha pretendon se rreth 200 profile të protestuesve dhe portaleve që kishin mbështetur protestën janë mbyllur që prej mbrëmjes së kaluar. Ai e ka cilësuar këtë si një akt censure dhe e ka lidhur me, siç shprehet, frikën e kryeministrit nga vijimi i protestave.
Sipas kreut të PD-së, pavarësisht presionit dhe përpjekjeve për të zbehur protestën, qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje dhe të kërkojnë largimin e Ramës.
“Rama po dëshmon çdo ditë se sa i frikësuar është nga protesta. Pavarësisht sulmeve, propagandës për ta relativizuar, presionit dhe dhunës së ushtruar nga policia për të intimiduar protestuesit, qytetarët vazhdojnë të dalin çdo natë në shesh dhe të kërkojnë largimin e tij”, deklaron Berisha.
Ai pretendon se bllokimi i llogarive ka ardhur pasi protesta është kthyer në një prej temave kryesore të diskutimit publik dhe ka marrë një shtrirje të gjerë edhe në rrjetet sociale.
“Rama ka zgjedhur të ndjekë manualin e etërve të tij politikë: censurën”, shprehet Berisha.
Kreu i opozitës thotë se mbyllja e profileve nuk do të ndikojë te protestuesit, të cilët, sipas tij, do të vijojnë të qëndrojnë në shesh çdo natë deri në largimin e kryeministrit.
“Kjo është dëshmia më e qartë se Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta shuar protestën. Por ajo që ende nuk ka kuptuar është se protestuesit nuk dorëzohen, nuk tremben dhe nuk tërhiqen”, përfundon Berisha.














