Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një mbledhje me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarët e qeverisë. Takimi është parashikuar të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes Rama mund të njoftojë ndryshime në kabinetin qeveritar. Në fokus pritet të jetë gjithashtu organizimi i ri i strukturave socialiste në terren, përmes nismës “Prania Besnike”.
Mbledhja zhvillohet një ditë pas takimit të zhvilluar në Vilën e Kuqe në Tiranë, ku kryeministri mblodhi drejtuesit politikë, ministrat dhe zëvendësministrat.
Gjatë takimit të djeshëm u diskutua për shtrirjen dhe kalendarizimin e nismës “Prania Besnike” në të gjithë territorin, si dhe për ndryshimet ligjore që lidhen me platformën “PasqyrAlbania”.
Takimi zgjati më shumë se katër orë. Pas përfundimit të tij u publikuan një sërë vendimesh dhe projektligjesh të qeverisë, që prekin fusha të ndryshme, ndër to mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin, sigurinë publike, administrimin e objekteve të konfiskuara dhe marrëveshjet fiskale me vende të tjera.
Mbledhja e sotme pritet të përcaktojë disa prej drejtimeve të reja të qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Mbetet për t’u parë nëse kryeministri Rama do t’i bëjë zyrtare ndryshimet e pritshme në përbërjen e kabinetit qeveritar.













