Shqipëria do të përfshihet sot nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, me alternime mes kthjellimeve dhe vranësirave, të cilat do të jenë më të dendura kryesisht në zonat malore të lindjes dhe juglindjes së vendit.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në pjesën më të madhe të territorit priten reshje shiu me intensitet të ulët. Në zonat malore mund të ketë edhe shtrëngata afatshkurtra, ndërsa në mënyrë të izoluar nuk përjashtohet mundësia e breshërit.
Gjatë ditës do të ketë gjithashtu përqendrim të lartë të grimcave të pluhurit dhe rërës në ajër.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në jugperëndim, si dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet deri në 16 m/s.
Në det parashikohet valëzim me forcë 2-4 ballë.













