Kryeministri Edi Rama tha këtë të mërkurë se kontrollet e inspektorateve ndaj bizneseve do t’i nënshtrohen “Testit të Besës”, që parashikon paralajmërim për kontrollet rutinë, përdorimin e gjobës vetëm si masë të fundit dhe mbikëqyrjen e inspektorëve përmes kamerave të trupit.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë Testin e Besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim,” tha Rama.
Sipas Kryeministrit, inspektimi duhet të ketë në fokus korrigjimin dhe zbatimin e standardeve, në vend të konstatimit të menjëhershëm të shkeljeve.
“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. Qëllimi ynë nuk është të kapim subjektet në gabime, por t’i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët,” tha ai.
Një tjetër element i modelit të prezantuar lidhet me mënyrën e vendosjes së masave administrative. Rama tha se gjoba ndaj një biznesi duhet të përdoret si masa e fundit dhe jo si reagimi i parë i inspektorit.
“E dyta, gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para, kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur pastaj një mënyrë tjetër për të shmangur gjobën,” tha Kryeministri.
“Dhe kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, po e turpëron atë,” shtoi ai.
Rama tha gjithashtu se bizneset do të kenë të drejtën të denoncojnë drejtpërdrejt rastet kur një inspektorat paraqitet pa paralajmërim për një kontroll rutinë.
“E treta, kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektorat, duhet ta denoncojë menjëherë tek Inspektori i Përgjithshëm,” tha Rama.
Sipas tij, raportimi i një rasti të tillë do të trajtohet si një e drejtë e subjektit të kontrolluar.
“Kjo nuk është ankesë, por e drejtë, dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku, qeveria dhe sipërmarrja,” tha ai.
Ndryshimet e paralajmëruara përfshijnë edhe kamera trupi dhe uniforma për inspektorët. Rama tha se së shpejti çdo inspektor që paraqitet pranë një tatimpaguesi në emër të shtetit do të duhet të jetë i identifikueshëm dhe i monitoruar gjatë ushtrimit të detyrës.
“Dhe, së fundi, së shpejti çdo inspektor që troket në emër të shtetit te dera e një tatimpaguesi të kësaj republike do të jetë i pajisur me kamera inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe që ta dijë edhe ai se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm,” tha Rama.
“Shteti që hyn në derën e njerëzve duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti,” shtoi Kryeministri./Monitor.al













