Ndeshja Tirana-Vora në “Selman Stërmasi” do të luhet pa tifozë. Kjo u bë e ditur nga klubi bardheblu nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare.
Tirana vuan dënimin nga sezoni i kaluar, për shkak të trazirave në duelin me Elbasanin.
Komisioni i Disiplinës ka dënuar Tiranën me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë në shtëpi. Ajo ndaj Vorës, e vlefshme për javën e tretë, është e para për kryeqytetasit si pritës.
Mbetet të shihet nëse dënimin për ndeshjen e dytë pa tifozë, klubi do e shlyejë me gjobë.
KF Tirana njofton të gjithë tifozërinë bardheblu dhe opinionin sportiv se, në zbatim të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së, klubi është dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve pa praninë e spektatorëve.
Për rrjedhojë, ndeshja e ardhshme që KF Tirana do të zhvillojë në shtëpi do të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e tifozëve në stadium.
Na vjen keq që skuadra do të duhet t’i zhvillojë këto ndeshje pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të tifozërisë sonë, e cila ka qenë dhe mbetet pjesë e pandashme e identitetit, historisë dhe forcës së KF Tiranës. Pa ju në tribunë. Me ju në fushë“, shkruan klubi.













