Një 36-vjeçare, 7 muajshe shtatzënë, ka humbur jetën pasi u paraqit në maternitetin e Pogradecit në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 gushtit 2026, kur gruaja, me inicialet M. K., iu nënshtrua ekzaminimeve nga tre mjekë të maternitetit të Pogradecit.
Pas kontrollit, mjekët vendosën që 36-vjeçarja të transportohej me autoambulancë drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Por gjatë rrugës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua.
Për këtë arsye, autoambulanca e dërgoi në maternitetin e spitalit të Elbasanit.
Atje, 36-vjeçarja u konstatua pa shenja jete.
Pas ngjarjes, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë referuar materialet në Prokurori.
Si pasojë, ka nisur procedimi penal ndaj tre mjekëve të maternitetit të Pogradecit.
Ata janë B. D., 35 vjeçe, banuese në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në martenitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë.
Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.













