Banorët e Vaut të Dejës kanë dalë sot në protestë pranë qendrës shëndetësore të qytetit, duke kërkuar rikthimin e shërbimit të urgjencës dhe praninë e një ambulance 24 orë në zonë.
Protesta vjen pas vdekjes së dy qytetarëve, David Dedës dhe Sokol Prekës, të cilët humbën jetën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike në fshatin Karmë.
Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e shërbimeve shëndetësore dhe thonë se Vaun e Dejës, pavarësisht numrit të madh të banorëve, e kanë lënë pa ambulancë dhe pa mjek roje gjatë natës.
Një prej protestuesve deklaroi se ambulanca duhet të vijë nga Shkodra, duke shkaktuar vonesa në rastet emergjente.
“Jemi 50 mijë e sa banorë dhe nuk kemi një ambulancë. Nuk kemi urgjencë, nuk kemi shërbim doktorësh. Ka tre muaj që nuk ka ambulancë fare në këtë qytet. Mjekët bëjnë shërbim vetëm paradite, ndërsa mjekët e natës janë hequr prej rreth dy muajsh”, tha ai.
Sipas banorit, në rastin e dy qytetarëve që humbën jetën në Karmë, ambulancës nga Shkodra iu desh rreth një orë e gjysmë për të mbërritur në vendngjarje.
“Njëri njofton Shkodrën, pastaj duhet të vijë ambulanca nga Shkodra për të shkuar në vendngjarje. Kjo është mungesa e madhe e shtetit”, u shpreh protestuesi.
Banorët kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të funksionojë si urgjencë 24 orë, të rikthehen mjekët roje dhe të sigurohet një ambulancë për zonën.
“Ne kërkojmë që kjo qendër shëndetësore të bëhet urgjencë, të ketë shërbim 24 orë dhe ambulancë. Këtu janë vetëm infermierët. Mjeku është vetëm paradite. Infermierja çfarë mund të bëjë në raste të rënda?”, deklaroi banori.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të garantuar shërbimin shëndetësor dhe emergjencat mjekësore për banorët e zonës.













