“E pranoj se nuk besoj në kohë. Pas përdorimit, më pëlqen të palos tapetin tim magjik, në mënyrë që të mund të mbivendos, njëri mbi tjetrin, pjesë të ndryshme të dizajnit. Dhe le të ngërthehen edhe vizitorët. Dhe gëzimi më i madh i mungesës së kohës, në një peizazh të zgjedhur kuturu, vjen kur e gjej veten mes fluturave të rralla dhe bimëve me të cilat ushqehen. Është kjo, dalldi, dhe pas dalldisë ka diçka tjetër vështirë për t’u shpjeguar. Është si një zbrazëti momentale, në të cilën derdhet gjithçka e dashur për mua”.

Një mjeshtër stili, një poet i madh, një entomolog i shquar dhe një shkrimtar dygjuhësh, romanet e të cilit janë përshtatur për ekran dhe skenë. Një nga gjigantët letrarë të shekullit të 20-të, Nabokov përfundoi 17 romane gjatë pesë dekadave, secili duke zënë një vend të veçantë në botën e letërsisë ruso-amerikane. Nabokov, shkrimtari shumëplanësh, me një jetë të guximshme dhe dramatike, autori i të famshmes “Lolita” dhe “Mbrojtja Luzhin”, ishte tejet i apasionuar pas shahut. “Problemet e shahut kërkojnë nga ata që i kompozojnë të njëjtin nivel cilësor që karakterizon çdo kompozim tjetër artistik: origjinalitet, shpikje, harmoni, saktësi, kompleksitet dhe… mungesë totale sinqeriteti”, – do shprehej ai. Të mendosh për realitetin, duke e projektuar atë në një tabelë shahu është një zakon që nuk i përket më Perëndimit. Një fakt që shumëkush do ta gjejë befasues, është se në të kaluarën përbrendësimi intelektual i kësaj loje fisnike prodhoi deri modele mendore për interpretimin e ngjarjeve të tanishme dhe parashikimin e të ardhmes. Me një alternim elegant metaforash të guximshme, lojëra verbale, përshkrime surrealiste që trazojnë fushshikimin e lexuesit në shumë detaje pafundësisht të vogla, kur krijesa njerëzore nuk skicohet më në tërësinë e tij, por i ka kapur me tërësi, këpucë misterioze me majë, doreza të dobëta, me pak fjalë të gjitha ato topoa stilistike që e bëjnë penën e Nabokovit të pagabueshme dhe të paimitueshme, emigranti rus na katapulton në botën e Luzhinit, një fëmijë i brishtë, introvert, me një prirje të ulët për marrëdhënie me moshatarët. Me “Mbrojtja Luzhin”, Nabokov shkroi romanin më të fuqishëm për obsesionin pas shahut, ku loja vjedh shpirtin, të çon në ekstazë e shkakton mundime.