Në shoqërinë aktuale nevoja për t’u kuptuar dhe dëgjuar me të vërtetë është gjithnjë e më e fortë dhe më e natyrshme në shpirtin e njeriut. Një nevojë e parashikuar tashmë nga shkrimtari Xhorxh Oruell, i lindur më 25 qershor 1903, i aftë për të krijuar në kryeveprën “1984” një univers distopian, që vijon t’i shqetësojë lexuesit edhe në ditët e sotme. Një nevojë e mirëpërmbledhur në fjalinë: “Ndoshta nuk doja edhe aq të më donin, se sa të më dëgjonin”. Nuk mjafton vetëm të ndihesh ose të jesh pranë një personi: duhet ta dëgjosh, të kuptosh nevojat dhe kërkesat e tij, të kesh guximin të mos menodsh vetëm për veten, por të plotësosh nevojat e të tjerëve. Është Oruelli krijesë njerëzore.

Është Oruell romancieri. Është Oruell intelektuali, kritiku, gazetari, eseisti, radikali. Mirëpo, kohët e fundit, Xhorxh Oruell, lindur Erik Artur Blair, që nuk e braktisi kurrë plotësisht emrin origjinal, është konsideruar gjithnjë e më shumë si një orakull modern, një profet që parashikoi me saktësi të tmerrshme se sa të brishta dhe të gabueshme ishin sistemet politike, fare pranë hijes së autoritarizmit. Puna e tij është shndërruar në busull për të na ndihmuar të lundrojmë në rrugën tonë në kohë recesioni demokratik dhe shpërbërje sistemesh.

“Pushteti nuk është mjet, është qëllim. Një diktaturë nuk vendoset për të mbrojtur një revolucion, por bëhet një revolucion me qëllim vendosjen e një diktature. Qëllimi i persekutimit është persekutimi. Qëllimi i torturës është tortura. Fundi i pushtetit është pushteti”.