Blez Paskal është një meteorit në historinë e mendimit. Ai la pas një punë jashtëzakonisht të frytshme si në fushën e shkencës, ashtu edhe në atë të filozofisë. I pasuroi letrat franceze me shkrime shpirtërore dhe mistike në kundërshtim me shqetësimet bashkëkohore. Kanë kaluar katër shekuj nga lindja e Blez Pakalit, më 19 qershor 1623, por nuk mjaftuan për ta harruar atë. Ende i detyrohemi mirënjohje si shkencëtar, si matematikan, si filozof, si teolog, si shkrimtar. Paskali nxitoi në jetë, përparoi, sikur ta dinte, që fëmijë, se kishte fare pak kohë në dispozicion.

Ai jetoi vetëm 39 vjet. Qe i parakohshëm në shkencë, në moshën 12-vjeçare ishte gjeni në gjeometri dhe, më pas, në matematikë, i pranuar si fëmijë mrekulli në asambletë shkencore: studioi boshllëkun në fizikë, ishte një pararendës i teknologjisë së informacionit dhe në moshën njëzetvjeçare ai shpiku kalkulatorin e parë: paskalinën. Bëri zbulime dhe themeloi teorema që vijojnë të jenë ende në fuqi, por në moshën 24-vjeçare e kuptoi se nuk kishte shumë kohë për të jetuar dhe iu përkushtua Zotit dhe sfidës së besimit. “Matematika, – tha ai, – është ushtrimi më i lartë i inteligjencës, por më i padobishëm”. Duhet të gjendet një ekuilibër midis besimit dhe arsyes, duke shpëtuar misterin dhe të mbinatyrshmen, por pa rënë në absurd dhe qesharak. Një intelekt kaq i gjallë, një shpirt kaq brilant, kishte një sens të errët fetar, me origjinë janseniste. Kemi dy gjëra për të humbur: të vërtetën dhe të mirën, dhe dy gjëra për të luajtur bixhoz: besimin dhe vullnetin. Duke peshuar humbjen dhe fitimin, është më mirë të vësh bast për Zotin, se sa për asgjë, sepse nëse fiton, fiton gjithçka, nëse humbet, nuk humb asgjë, – thotë Paskal. Çka
nënkupton se nëse Zoti ekziston, fitoni lumturinë e përjetshme, nëse Zoti nuk ekziston, nuk keni humbur asgjë; ose thjesht humbisni njëfarë kënaqësie në jetë që i keni sakrifikuar virtytit të besimit. Basti i Paskalit është koherent jo vetëm në rrafshin teologjik e filozofik, por edhe në atë shkencor dhe matematikor: “S’do ta di kurrë me siguri ekzistencën e Zotit, asnjë shkencë nuk do ta përgënjeshtroj apo demonstrojë atë, është një mister; pra s’na mbetet gjë tjetër veçse të vihet bast”. Një akt i lirë dhe i guximshëm inteligjence, që duket se bie ndesh me vizionin jansenist të besimit si një hir dhe dhuratë nga Zoti. Moderniteti ndoqi Dekartin, por ndoshta Paskali kishte të drejtë me zemrën e tij mendimtare…
“Asgjë nuk është aq e padurueshme për njeriun, se të qëndrosh në pushim absolut, pa pasion, pa biznes, pa argëtim, pa zbatim. Më pas, ai ndjen hiçin, braktisje, pamjaftueshmëri, varësi, pafuqi, zbrazëti. Nga thellësia e shpirtit të tij mërzia, tmerri, trishtimi do të gulfojnë nxitimthi dhimbjen, indinjatën, dëshpërimin”.
“Drejtësia pa forcë është e pafuqishme. Fuqia pa drejtësi është tiranike. Drejtësia pa forcë kundërshtohet, sepse gjithmonë ka njerëz të ligj. Fuqia pa drejtësi akuzohet. Prandaj, ne duhet të bashkojmë drejtësinë dhe fuqinë, dhe për ta bërë këtë duhet të sigurohemi që ajo që është e drejtë të jetë e fortë ose që ajo që është e fortë të jetë e drejtë”.