(Historia tragjike e Alan Turing)

Nuk ka dyshim që Alan Turing ishte një nga mendjet më të shkëlqyera të shekullit të 20-të. Studimet e tij i dhanë shkas shkencës kompjuterike. Makina e famshme, e cila mori emrin prej tij, sot konsiderohet si një nga prototipet e para të kompjuterit modern. Puna e tij e kriptanalizës ishte gjithashtu thelbësore, e cila, gjatë Luftës së Dytë Botërore, bëri të mundur zbulimin e mesazheve të koduara të gjermanëve. Me gjithë meritat, punën e tij të palodhshme në shërbim të vendit të tij, Alan Turing pësoi një trajtim të tmerrshëm dhe çnjerëzor, i cili, siç dihet, e çoi drejt vetëvrasjes. Gjithçka filloi më 31 mars 1952. Pikërisht atëherë arrestuan matematikanin e madh për homoseksualizëm. Një krim i dënuar më pas me burg. Me sa duket, arrestimi ndodhi menjëherë pas një vjedhjeje në shtëpinë e Turing.

I nxitur nga një sërë pyetjesh, ai pranoi me shumë sinqeritet se ishte homoseksual. Në fund të fundit, Alan Turing nuk shihte asgjë të keqe me të. Mirëpo, klima ende shumë homofobike në Mbretërinë e Bashkuar sigurisht që nuk lejonte të ishe shumë optimist. Kështu që, në një moment, shkencëtari që kishte ndihmuar në shpëtimin e njerëzimit nga tmerret e pafundme të Hitlerit, u detyrua të zgjidhte mes burgut ose tredhjes kimike. I frikësuar se mos duhej të kalonte shumë muaj në burg, Turing zgjodhi më pas mundësinë e dytë. Megjithatë, trajtimi hormonal, me të gjitha pasojat e trishtueshme, e çoi atë drejt e në krahët e vdekjes. Në fakt, më 7 qershor 1954, matematikani u helmua me një mollë lyer me cianid. Vitet e fundit qeveria britanike ka kërkuar zyrtarisht falje për trajtimin që i është bërë Turingut. Ajo emetoi edhe një pullë në kujtim të tij. Megjithatë, le të themi se asnjë “falje mbretërore” apo festë zyrtare nuk do të mund të qetësojë kurrë dhimbjen, abuzimin, turpin e një dënimi kaq të padrejtë dhe çnjerëzor.