Nobelisti na fton të kalojmë pesë net të çuditshme në një shtëpi misterioze buzë detit me plakun Egut. Këtu, të moshuarve u ofrohet mundësia të përjetojnë kënaqësitë e fundit sensuale dhe shpirtërore përkrah vajzave të reja të kredhura kimikisht në gjumin e vdekjes, “një abis i pafund”.

Gjatë kohës së tij atje, ai mendon për jetën e grave, reflekton për të kaluarën e tij dhe përballet me vetminë e pleqërisë dhe vdekjes. Çdo herë që Eguti kthehet në han, i caktohet një grua tjetër – ose dy gra në rastin e vizitës së tij të fundit. Megjithatë, ai përjeton gjithmonë të njëjtat ndjesi: “ngushëllim melankolik” dhe “ngrohtësi rinore”. Eguti krenohet me faktin se ai “nuk ka pushuar së qeni burrë” dhe imagjinon se burrat e tjerë që vizitojnë shtëpinë nuk janë më në gjendje t’i “përdorin gratë si gra”. Në “Bukuroshet e fjetura”, Kavabata trajton temat që përshkojnë veprat e tij: bukuria e grave, dëshira për të kaluarën, kërkimi i një lumturie iluzore dhe vdekja. Ai e lejon lexuesin të hyjë në botën e brendshme të protagonistit dhe të përjetojë me Egutin mjerimin dhe mallin që vjen me pleqërinë. Kavabata shkruan në një stil kompakt, lirik. Përdorimi i detajeve shton realizmin; në të njëjtën kohë, shkrimtari krijon një efekt impresionist, duke lënë shumë të pathëna dhe duke e bërë lexuesin të shohë, të ndiejë dhe të vlerësojë nga këndvështrimi i kufizuar i Egutit. Tek Kavabata bukuria “është e pandashme nga një lloj shenjtërie… bukuria është një cilësi e pastërtisë dhe, si e tillë, bëhet një kategori metafizike; jo një aspekt i izoluar i ekzistencës, por realizimi i tij më i lartë. Të përulurve, “shenjtorëve” të pavullnetshëm u jepet ai bashkim me universin dhe me gjërat që dukej se ishin humbur përgjithmonë nga njerëzit”.