Flash News

E-TJERA

Protestë në Belsh kundër hartës së re territoriale, banorët kundërshtojnë bashkimin me Elbasanin

Pas Prrenjasit, kundërshtimet ndaj reformës së re territoriale kanë mbërritur edhe në Belsh, ku qindra banorë kanë dalë në protestë kundër planit të qeverisë për riorganizimin e bashkive.

Protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit për të kundërshtuar hartën e re administrative, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë së Belshit dhe asaj të Cërrikut dhe përfshirjen e tyre nën Bashkinë e Elbasanit. Ndërkohë, sipas propozimit, Bashkia e Prrenjasit do të kalojë nën administrimin e Librazhdit.

Banorët e cilësuan këtë vendim si të marrë pa konsultim me komunitetet lokale, duke akuzuar qeverinë se nuk ka zhvilluar dëgjesa publike përpara prezantimit të ndryshimeve.

Sipas tyre, bashkimi i Belshit me Elbasanin do të largojë shërbimet publike nga qytetarët dhe do të krijojë vështirësi të reja, veçanërisht për të moshuarit, të cilët do të duhet të udhëtojnë distanca më të gjata edhe për procedura të thjeshta administrative.

Protestuesit argumentuan se Belshi ka krijuar identitetin e tij përmes zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë dhe se humbja e statusit të bashkisë do të dëmtonte funksionimin e komunitetit dhe autonominë lokale.

Gjatë protestës u njoftua edhe nisja e një peticioni kundër reformës, ndërsa organizatorët paralajmëruan për protesta të tjera nëse qeveria nuk rishikon projektin.

Në tubim morën pjesë edhe përfaqësues të këshillit bashkiak të Belshit. Nga foltorja u rikthyen kritikat ndaj reformës territoriale të vitit 2014, me protestuesit që deklaruan se premtimet për më shumë eficiencë administrative dhe shërbime më pranë qytetarëve nuk janë realizuar.

Të fundit