Flash News

Ditari i Opozitës

Zhupa denoncon vonesat në ujësjellësin e Gjashtës: 400 mijë euro të shpenzuara, banorët ende pa ujë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e punimeve në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit në fshatin Gjashtë të Sarandës, duke akuzuar institucionet vendore për keqmenaxhim të fondeve publike.

Sipas saj, për këtë projekt janë shpenzuar rreth 400 mijë euro me TVSH, përmes Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë, ndërsa punimet vijojnë ende edhe pse afati i parashikuar në kontratë ka përfunduar.

Zhupa deklaron se kontrata, me vlerë rreth 33.3 milionë lekë pa TVSH, parashikonte përfundimin e punimeve brenda 8 muajve, por sipas saj, ndërhyrjet në terren kanë mbetur të papërfunduara dhe me probleme në cilësi.

REAGIMI:

400 mijë euro nga taksat e qytetarëve për rrjetin e ujësjellësit në Gjashtë, Sarandë dhe banorët nuk kanë uje ndërsa punimet vazhdojnë jashtë afateve me cilësi si në mesjetë!

Për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujësjellësit në fshatin Gjashtë, Bashkia Sarandë, përmes Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë SH.A. është dhënë për 33.333.330 lekë pa TVSH (rreth 330 mijë euro, ose afërsisht 400 mijë euro me TVSH) kompanisë COGREN shpk. 

Punimet vazhdojnë ende, megjithëse afati i kontratës ishte vetëm 8 muaj. Duhet ishte mbyllur në dhjetor 2025. Në terren gjithçka duket si një kantier i braktisurr: rrugë të hapura, baltë dhe punime primitive, sikur të ishim kthyer dekada pas në mesjetë.

Më e rënda është se banorët e Gjashtës kanë mbetur pa furnizim me ujë prej më shumë se tre muajsh. Në kulmin e sezonit turistik, familjet detyrohen të përballojnë një situatë të papranueshme, ndërsa protestat e tyre vazhdojnë të bien në vesh të shurdhër. Ky është një dëm i madh për jetesën e tyre por edhe për turizmin!

Ku kanë shkuar këto qindra mijëra euro? Kush mban përgjegjësi për zvarritjen e punimeve, për mungesën e mbikëqyrjes dhe për vuajtjet që u janë shkaktuar banorëve?

Bashkia Sarandë nuk mund të fshihet pas justifikimeve. Ka detyrimin të japë llogari për vonesat, për cilësinë e punimeve dhe për faktin që qytetarët janë lënë pa një shërbim jetik për muaj të tërë, ndërkohë që paratë publike janë shpenzuar. Premtimet e fushatës kanë ngel vetëm propaganda e zakonshme pa rezultat konkret për banorët e Sarandës. 

 

Të fundit