Flash News

E-TJERA

Rikthehet “Odisea” e Homerit, filmi i Nolanit sjell bum shitjesh për poemën antike

Vepra madhore e Homerit, “Odisea”, është rikthyer në qendër të vëmendjes globale pas suksesit të adaptimit kinematografik të regjisorit Christopher Nolan. Interesi për poemën antike nuk është rritur vetëm në kinematë botërore, por edhe në librari, platforma audio dhe institucionet akademike.

Në Britani, shitjet e botimeve të “Odisesë” janë rritur me 1.400% në katër javët deri më 25 korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një nga versionet më të kërkuara është përkthimi i vitit 2017 nga studiuesja Emily Wilson.

Edhe rrjeti i librarive Waterstones ka raportuar një rritje të ndjeshme të kërkesës për veprën e Homerit, ndërsa interesi është zgjeruar edhe te libra të tjerë që lidhen me mitologjinë greke, si “Iliada”, “Circe” e Madeline Miller dhe “Penelopiada” e Margaret Atwood.

Bumi i leximeve ka prekur edhe formatet digjitale. Në Amazon, versioni i “Odisesë” nga Stephen Fry është renditur ndër librat historikë më të shitur në Britani, ndërsa platformat audio kanë regjistruar rritje të kërkimeve për përkthime të poemës.

Pedagogët britanikë e shohin këtë si një mundësi për të rikthyer interesin e të rinjve ndaj letërsisë klasike dhe studimeve mbi qytetërimin antik. Universiteti UCL, ku Nolan ka studiuar Homerin gjatë viteve universitare, pret një rritje të interesit për këto fusha.

Filmi i ri rrëfen udhëtimin e Odiseut drejt Itakës pas Luftës së Trojës. Në rolet kryesore janë Matt Damon si Odiseu, Anne Hathaway si Penelopa dhe Tom Holland si Telemaku. Produksioni ka kryesuar për dy javë kinematë amerikane dhe ka arkëtuar rreth 640 milionë dollarë në mbarë botën.

Megjithatë, filmi nuk ka shpëtuar nga kritikat. Përkthyesja Emily Wilson dhe historiania Mary Beard kanë ngritur shqetësime se adaptimi nuk arrin të përcjellë kompleksitetin psikologjik, etik dhe emocional të poemës së Homerit, duke e kthyer historinë në një rrëfim më tipik hollivudian.

 

Të fundit