Flash News

E-TJERA

Edhe banorët e Maliqit kundër Reformës Territoriale: Po na bëjnë 'kurban' të politikës

102976_capture_s.png

Reforma administrativo-territoriale e propozuar nga Partia Socialiste po has kundërshtime edhe në Maliq, ku banorët kanë dalë kundër  bashkimit të bashkisë së tyre me Korçën.

Banorët e konsiderojnë këtë një vendim që do të rëndojë jetën e përditshme të qytetarëve, pasi largësia me Korçën do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve publike, veçanërisht për zonat rurale.

“Unë si banor i Maliqit mendoj se kjo bëhet për arsye politike. Në këto 30 vite politika nuk ka qenë në interes të qytetarëve. Maliqi është bërë kurban i politikës,” u shpreh një banor.

Edhe qytetarë të tjerë thonë se bashkimi i propozuar do të krijojë vështirësi konkrete për komunitetin, pasi për çdo shërbim administrativ do t’u duhet të udhëtojnë drejt Korçës.

“Do të ishte një problem i madh për qytetarët. Distanca është larg dhe shërbimet që sot i marrim këtu do të duhet t’i kërkojmë në Korçë. Kjo është zhgënjyese,” tha një tjetër banor.

Shqetësime janë ngritur edhe për ndikimin që reforma mund të ketë në bujqësi dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Sipas një ish-banori të Maliqit, bashkia nuk plotëson kriteret për t’u shkrirë, ndërsa fermerët do të jenë ndër më të prekurit nga ky ndryshim.

“Do të ndikojë te fermerët dhe te zhvillimi i zonës. Maliqi është një bashki e madhe dhe funksionale, nuk ka arsye të shkrihet,” u shpreh ai.

Kundërshtimet në Maliq i shtohen reagimeve të regjistruara edhe në bashki të tjera të vendit, ku propozimi i PS-së për reformën e re administrativo-territoriale ka hasur rezistencë nga banorët dhe drejtues vendorë.

Të fundit