Flash News

E-TJERA

"Na sulmuan me gurë e thikë", dhunohet grupi i turistëve italianë në Tiranë

Një grup prej gjashtë studentësh italianë nga Venosa, në provincën e Potenzës, mbërritën në Tiranë për disa ditë pushimi pas përfundimit të provimeve në universitet, por pushimet e tyre zgjatën më pak se 24 orë pas një ngjarjeje të rëndë që, sipas dëshmisë së tyre, përfundoi me dhunë fizike.

Njëri prej të rinjve ka rrëfyer për mediat italiane se grupi kishte mbërritur në kryeqytetin shqiptar më 29 korrik dhe në mbrëmjen e parë kishte dalë për darkë nga apartamenti ku qëndronin me qira.

Sipas tij, teksa po shkonin drejt zonës së Sheshit “Skënderbej”, një grup prej rreth 20 të rinjsh, të moshës 16-18 vjeç, fillimisht u është afruar duke i pyetur nga vinin. Pasi ata u përgjigjën se ishin italianë, situata sipas turistëve ka ndryshuar dhe të rinjtë kanë nisur t’i ndjekin, duke u hedhur ujë, shishe dhe gurë.

“Ne u përpoqëm të mos reagonim dhe të vazhdonim rrugën, pasi ishim në një vend të huaj dhe nuk donim probleme”, ka treguar njëri prej tyre.

Por situata, sipas dëshmisë, është përshkallëzuar kur grupi i të rinjve i ka rrethuar dhe njërit prej turistëve i është kërkuar të jepte para, ndërsa është kërcënuar me thikë.

Gjatë përplasjes, disa prej tyre kanë arritur të largohen drejt zonës ku ndodheshin forcat e rendit, ndërsa njëri prej studentëve ka mbetur pas dhe është sulmuar fizikisht. Ai është goditur me grushte dhe shkopinj, edhe pasi kishte rënë në tokë, duke pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Turistët kanë ngritur gjithashtu pretendime për reagimin fillestar të disa efektivëve në vendngjarje, duke thënë se kërkesat e tyre për ndihmë nuk janë marrë seriozisht. Sipas tyre, ndihma ka ardhur më pas nga efektivë të tjerë, të cilët kanë larguar agresorët dhe kanë thirrur ambulancën.

I riu i plagosur është marrë në kujdes mjekësor në vendngjarje, ndërsa grupi ka vendosur të ndërpresë menjëherë pushimet dhe të kthehet në Itali.

Në orët e para të 30 korrikut, gjashtë studentët janë nisur me fluturimin e parë të mundshëm drejt Italisë. Pas kthimit në Venosa, i riu i dhunuar është paraqitur në spital për kontrolle dhe trajtim.

“Zgjodhëm të mos reagonim. Ishte më mirë të pësonim goditje sesa të rrezikonim një pasojë më të rëndë nga thika”, ka deklaruar ai.

Të fundit