Flash News

E-TJERA

Vapa ju ka rraskapitur? Këto janë ushqimet që ju rikthejnë energjinë

Temperaturat e larta të verës nuk sjellin vetëm parehati, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në organizëm. Ndjesia e lodhjes, mungesa e përqendrimit dhe rënia e energjisë janë shpesh shenja se trupi po humbet sasi të mëdha lëngjesh dhe mineralesh përmes djersitjes.

Specialistët theksojnë se hidrimi i vazhdueshëm është thelbësor gjatë ditëve të nxehta. Konsumimi i të paktën dy deri në tre litrave ujë në ditë ndihmon në parandalimin e dehidratimit, por po aq e rëndësishme është edhe zgjedhja e ushqimeve të duhura.

Frutat dhe perimet e stinës, falë përmbajtjes së lartë të ujit, vitaminave dhe mineraleve, konsiderohen aleatë të rëndësishëm për të përballuar vapën. Ato ndihmojnë në hidratimin e organizmit, zëvendësimin e elektroliteve të humbura dhe lehtësojnë tretjen, e cila gjatë verës funksionon më mirë me vakte të lehta.

Mes frutave më të rekomanduara është shalqiri, i cili përbëhet kryesisht nga ujë dhe përmban vitamina A e C, kalium dhe likopen, një antioksidant që ndihmon edhe në mbrojtjen e lëkurës. Pjepri, pjeshkët, fiqtë, ananasi, dardhat, luleshtrydhet, mjedrat dhe manaferrat janë gjithashtu zgjedhje të mira, pasi furnizojnë trupin me vitamina, fibra dhe minerale të nevojshme për të ruajtur energjinë.

Edhe perimet nuk duhet të mungojnë në tryezën e verës. Kastravecat, të cilët përmbajnë rreth 96% ujë, janë ndër ushqimet më hidratuese. Domatet, specat, kungujt e njomë, selinoja, spinaqi, finoku dhe patëllxhanët ofrojnë kalium, magnez, vitamina dhe antioksidantë që ndihmojnë organizmin të përballojë më mirë temperaturat e larta.

Ekspertët këshillojnë që gjatë ditëve me vapë të shmangen vaktet e rënda dhe të preferohen ushqime të freskëta e të pasura me ujë. Një dietë e ekuilibruar, e kombinuar me hidratim të mjaftueshëm, mund të ndihmojë në uljen e lodhjes dhe në ruajtjen e energjisë gjatë gjithë ditës.
 
 
 
 

Të fundit