Flash News

E-TJERA

Vrasja e Kevin Muharremit në Itali, çfarë zbuloi autopsia

Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të 14 shkurtit në Montecalvoli të Italisë.

Sipas rezultateve të autopsisë dhe hetimeve të Prokurorisë së Pizës, një plumb i vetëm rezultoi fatal për të riun, ndërsa autoritetet po vijojnë të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Sipas mediave italiane, raporti mjeko-ligjor, përcakton se plumbi vdekjeprurës, i qëlluar nga një armë gjysmëautomatike “Beretta” e kalibrit 6.75, e goditi Muharremin në anën e djathtë të qafës. Projektili dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore në nivelin e vertebrave C2 dhe C3, duke shkaktuar ndërprerjen e funksioneve nervore, paralizë të frymëmarrjes dhe gjakderdhje të brendshme, dëmtime që i shkaktuan vdekjen.

Autopsia ka zbuluar gjithashtu se 25-vjeçari ishte goditur edhe nga një plumb i dytë në krahun e djathtë, por kjo plagë nuk konsiderohet shkaku i vdekjes. Plumbi fatal u gjet i bllokuar pranë vertebrës së dytë të qafës, pasi kishte depërtuar përmes xhaketës që viktima mbante veshur.

Sipas hetuesve, në drejtim të automjetit ku ndodhej Muharremi janë qëlluar më shumë se gjashtë plumba, fakt i mbështetur edhe nga dëmtimet e konstatuara në pjesën e përparme të mjetit tip “Fiat Doblò”, ku ai ndodhej në sediljen e pasagjerit.

Për ngjarjen ndodhet në burg Renato Xyke, 20-vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Santa Maria a Monte. Ai u arrestua pak pas krimit në Arezzo, ndërsa po largohej me familjen e tij me një automjet tip “Range Rover Evoque”. Sipas mediave italiane, Xyke ka pranuar se ka qëlluar me armë në drejtim të mjetit ku ndodhej Muharremi, por hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht përgjegjësinë e tij penale.

Në të njëjtin automjet me Xyken ndodhej edhe një 18-vjeçar shqiptar, banues në Montecalvoli, i cili nuk është arrestuar. Ai është paraqitur vullnetarisht në Prokurori, i shoqëruar nga avokati i tij, për të dhënë versionin e ngjarjes.

Nga hetimet paraprake rezulton se vrasja ishte kulmi i një konflikti që kishte nisur disa orë më herët. Sipas prokurorëve, një debat i ashpër mes grupit të viktimës dhe atij të autorit të dyshuar kishte shpërthyer fillimisht brenda një lokali në Capanne di Montopoli dhe më pas kishte vijuar në parkingun e tij.

Më pas, dy grupet dyshohet se kanë shkëmbyer telefonata, derisa janë takuar sërish në Viale della Repubblica, ku konflikti përfundoi me të shtëna armësh. Miqtë e Muharremit njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës dhe tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por 25-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Prokuroria e Pizës vijon hetimet për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes, për të përcaktuar rolin e çdo personi të përfshirë dhe për të sqaruar motivet që çuan në vrasjen e të riut shqiptar.

Të fundit