Flash News

Ditari i Opozitës

Belshi ngrihet kundër shkrirjes së bashkive, Alizoti: Reforma ka qëllim elektoral

Protestat kundër reformës territoriale kanë vijuar në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa kundërshtimet janë përqendruar te plani për bashkimin e disa njësive vendore.

Pas tubimeve në Prrenjas, radhën e ka pasur Belshi, ku banorë dhe përfaqësues të opozitës kanë shprehur kundërshtimin ndaj mundësisë së shkrirjes së bashkisë së tyre me struktura më të mëdha vendore.

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan, deputeti Tomorr Alizoti, e ka cilësuar reformën një nismë me qëllime elektorale, duke akuzuar qeverinë se po kërkon të ndikojë në kontrollin e pushtetit vendor.

Sipas Alizotit, ndryshimi i hartës administrative nuk duhet të bëhet pa konsultimin e qytetarëve, pasi prek drejtpërdrejt marrëdhënien e tyre me institucionet lokale dhe marrjen e shërbimeve.

“Ka protesta në të gjithë Shqipërinë për punën e bashkive sepse nuk mund të ndryshosh raportin e njerëzve me shtetin, me bashkinë, me komunat, pa i pyetur ata. Dhe kjo është një reformë e mirëfilltë elektorale. Pra, ky person që është Rama, me gjithë ekipin e tij, tenton me çdo kusht të qëndrojë në pushtet. Dhe këtë e bën me koston e njerëzve. Reforma territoriale është totalisht absurde. Sepse në vendet e botës, është Karta Europiane që është demokraci, decentralizimi. Kështu që janë shumë të rëndësishme bashkitë.

Belshi është një zonë, është një qytet i vogël i cili përpara shumë kohësh është menduar dhe nga zona që ka, të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Pra nuk mund ta bashkosh Belshin me Elbasanin, po ashtu edhe Cërrikun sepse e humb efektin e decentralizimit. Njerëzit këtu kanë nevojë të kenë shërbimet e tyre normale rreth vetes, brenda vetes. Kjo është një reformë e mirëfilltë elektorale, por do hasin rezistencë. Sepse nuk është vetëm kjo, ka shumë e shumë reforma e shumë e shumë nisma që ka marrë kryeministri që e ka dëmtuar këtë vend.

Ai përfaqëson Shqipërinë duke e dëmtuar Shqipërinë. Duke i dëmtuar shqiptarët në një mënyrë me një arrogancë të paparë. Kështu që është e domosdoshme, protesta është natyrale, është e bërë vetë nga njerëzit, ka dhe shumë demokratë, ka shumë opozitarë, që janë të pakënaqur, sepse është një gjë që i prek realisht njerëzit”, tha Alizoti.

Të fundit